Policia reagon për sherrin në Rinas: Ishin 18 anëtarë të së njëjtës familje, po shkonin me pushime Antalya dhe u zunë për radhën

Policia Kufitare e Rinasit ka reaguar pas publikimit të një video në rrjetet sociale, ku disa persona të së njëjtës familje janë konfliktuar me punonjësit e aeroportit “Nënë Tereza” dhe me efektivët.

Sipas Policisë mësohet se kjo ngjarje ka ndodhur në datën 6 shtator, në orët e para të mëngjesit, rreth orës 02:30, ku disa pasagjerë kanë debatuar me punonjësit e check-in për shkak të mosmarrëveshjeve lidhur me radhën. Disa prej udhëtarëve kërkonin të imbarkoheshin së bashku dhe pa pritur në radhë, duke u justifikuar me faktin se udhëtonin me fëmijë të vegjël.

Pas thirrjes së stafit të aeroportit, në vendngjarje ndërhynë shërbimet e Komisariatit të Policisë Rinas, të cilat qetësuan situatën dhe shmangën përshkallëzimin e konfliktit.

Personat e përfshirë ishin pjesëtarë të një familjeje, rreth 18 shtetas, përfshirë fëmijë të mitur, që udhëtonin për pushime në Turqi. Kryefamiljari, shtetasi A. M., së bashku me djemtë e tij, pas sherrit kanë kërkuar ndjesë për sjelljen dhe kanë shprehur keqardhje për situatën e krijuar.

Si rrjedhojë punonjësit e aeroportit nuk kanë preferuar të ushtrojnë të drejtën për të ngritur një kallëzim penal, duke u mjaftuar me sqarimin dhe kërkesën për falje nga ana e udhëtarëve.

Ndër të tjera autoritetet kanë hedhur poshtë edhe pretendimet se personat e përfshirë në këtë ngjarje janë familjarë të ish-deputetit të Partisë Socialiste, Xhemal Qefalia.

“Duke parë reflektimin pozitiv të familjarëve dhe duke marrë parasysh faktin që kishin edhe fëmijë të mitur me vete, si dhe faktin që punonjësit nuk donin të bënin kallëzim, punonjësit e Policisë Kufitare të Rinasit i kanë këshilluar për moskryerje të veprimeve të tilla dhe i kanë lejuar të vijonin udhëtimin.

Sqarojmë faktin se pretendimet se personat e përfshirë në konflikt janë familjarë të shtetasit Xh. Q., nuk janë të vërteta”, thuhet ndër të tjera.


Shtuar 24.09.2025 16:24

Tags: ,