Policia plan masash për ndeshjen Shqipëri-Poloni, rrugët që do të bllokohen nesër

Ditën e nesërme në orën 20:45 do të zhvillohet në Air Albania ndeshja mes Shqipërisë dhe Polonisë në kuadër të kualifikueseve të Botërit, Katar 2022.

Për mbarvatjen e rendit dhe sigurisë, policia ka marrë një plan masash.

Masat e marra nga Policia e Tiranës konsistojnë jo vetëm në  ambientet e stadiumit, por dhe në një perimetër më të gjerë jashtë tij.

Në këtë kuadër do të ketë bllokime të disa segmenteve rrugore,të cilat do të jenë të bllokuara, nga ora 16:00 deri në përfundim të aktivitetit janë:

– Rruga përreth  stadiumit “Lek Dukagjini”, rruga “Faik Konica” rruga “Dervish Hima”, rruga “ Gjergj Filipi”, rruga Asim Zeneli” rruga “Papa Gjon Pali II”, nga kryqëzimi me rrugën “Ismail Qemali” deri tek stadiumi “Air Albania” dhe bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nga presidenca deri te sheshi “Nënë Tereza”.

Hyrja e tifozëve do të fillojë në orën 18:00, dhe lëvizja e tyre do të garantohet nga Policia, përgjatë rrugëkalimeve të caktuara dhe nuk do të lejojnë grumbullim apo kalim të tifozëve jashtë itinerarit të caktuar.

Policia e Tiranës kërkon mirëkuptimin e tifozerive respektive në zbatimin e detyrimeve të mësipërme, si dhe mirëkuptimin e qytetarëve për të evituar lëvizjen me automjete në segmentet rrugore të lartpërmendura në oraret e caktuara.

Po në zbatim të planit të masave, do të ushtrohen kontrolle ndaj tifozëve para hyrjes në stadium për sende të kundërligjshme (si armë, sende të forta, bidonë uji, çadra, çelësa metalik apo lëndë piroteknike etj.) dhe çdo tifoz duhet të jetë i pajisur me dokument identifikimi.

Nuk do të lejohen të futen në stadium persona pa dokument identifikimi, si dhe fëmijët nën moshën 16 vjeç, pa praninë e prindërit apo kujdestarit.

Policia ju bën me dije se në rastet e prishjes së rendit dhe qetësisë publike, do të ndërhyjë si në ambientet e jashtme të stadiumit, ashtu dhe në ambientet e brendshme, për rivendosjen e rendit dhe shoqërimin e personave që do shkaktojnë trazira apo kryejnë veprime antisportive.

Policia e Tiranës edhe njëherë apelon për tifozëritë e dy skuadrave që të tregojnë qytetari dhe të zbatojnë rregullat dhe ligjin./albeu.com


Shtuar 11.10.2021 14:47