Shërbimet e Policisë së Shtetit kanë shpëtuar dy turiste holandeze që kishin mbetur të bllokuara pranë Shpellës së Pëllumbasit, në fshatin Pëllumbas, Tiranë.
Njoftimi zyrtar bën me dije se ndërhyrja nisi pasi u raportua se njëra nga turistet kishte pësuar dëmtim në këmbë pas një rrëzimi, çka i pamundësoi lëvizjen në atë terren të vështirë.
Të lidhura
None found
Menjëherë pas sinjalizimit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1, së bashku me Policinë Alpine të Forcës Kombëtare të Sigurisë, Njësia Tiranë, organizuan një operacion kërkim-shpëtimi dhe arritën t’i lokalizonin dy turistet, duke i nxjerrë në siguri.
Turistja e dëmtuar mori ndihmën e parë nga Policia dhe më pas, në bashkëpunim me ekipin e ambulancës, u dërgua në Spitalin e Traumës për trajtim mjekësor. Ndërsa turistja tjetër u shoqërua drejt një zone të sigurt.
Sipas Policisë së Shtetit, dy shtetaset nga Holanda shprehën mirënjohje ndaj efektivëve dhe strukturave mbështetëse për reagimin e shpejtë, profesionalizmin dhe ndihmën e dhënë gjatë operacionit.
Policia e Shtetit u ka bërë apel qytetarëve dhe turistëve që, në çdo rast emergjence, të telefonojnë numrin pa pagesë 112.
