Policia e Shtetit, përmes një njoftimi kërkon ndihmën e qytetarëve për informacione në lidhje me shumë të kërkuarit, Talo Çela, Laert Haxhiu, Jani Aliah, Ibrahim Lico dhe Erjon Llapushi.
Për çdo informacion të vlefshëm që do të çojë në lokalizimin e vendndodhjes së këtyre personave, thuhet në njoftim, Policia e Shtetit vë në dispozicion shuma të konsiderueshme parash.
Por kush janë të shumë kërkuarit?
Talo Çela
Talo Çela është një nga emrat më të kërkuar të krimit në Shqipëri. 51-vjeçari akuzohet për grabitjen e parave në aeroportin e Rinasit mesditën e 9 prillit të 2019-tës. I shumëkërkuari për këtë dosje, do gjykohet veçmas anëtarëve të tjerë të grupit të grabitësve, pasi me ndryshimet e reja ligjore, çështja e një të dyshuari pezullohet për 1 vit, dhe nëse ai nuk arrestohet brenda këtij harku kohor, atëherë nis gjykimi i tij në mungesë.
Ndaj Talo Çelës, është pezulluar procesi edhe për vrasjet e dyfishta në Durrës, ku mbetën të vrarë katër persona, Anxhelo Avdia, Renato Avdyli dhe vëllezërit Besmir e Viktor Haxhia, ngjarje të ndodhura në vitin 2020. Ai dyshohet se është personi që urdhëroi këto vrasje, për shkak të humbjes së një sasie të konsiderueshme parash, të grabitura në Rinas.
Ibrahim Lici
Lici akuzohet për një mori vrasjesh përmes atentateve në Shkodër. Më e fundit ishte ajo e Endri Mustafës një vit më parë në zonën e Livadheve në Shkodër. Kjo akuzë u kundërshtua një ditë më vonë nga të afërmit të Licit. Po ashtu, policia e akuzon Irahim Licin edhe për vrasjen e vëllezërve Astrit dhe Brahim Bilali, marsin e vitit 2019 në Shkodër. Në atë kohë u vunë në pranga dy bashkëpunëtorët e tij Arsen Stojku 29 -vjeç dhe Mislim Rama 23 -vjeç nga Vau i Dejës, ndërsa vetë Lici u shpall në kërkim.
Laert Haxhiu
Laert Haxhiu është i dyshuar si atentatori kryesor i ngjarjes së 11 shtatorit 2017 në Lushnje, ku mbetën të vrarë dy persona, Jurgen Hoxhës dhe Samir Latifit. Haxhiu nga Prokuroria e Lushnjës është akuzuar edhe për vrasjen e Gerti Salës, i njohur ndryshe si “Iriqi”, anëtar në bandën e Lushnjës, në vitin 2009 dhe si autor kryesor i plagosjes me pistoletë me 25 shtator të 2016-ës të Xhulio Shkurtit dhe Saimo Xheliut. Po ashtu, në 2016-ën, ai ka tentuar të ekzekutojë edhe nipin e Aldo Bares, Xhuljo Shkurti në qendër të Lushnjës.
Erjon Llapushi
Erjon Llapushi është autor i vrasjes së kamarierit Gazment Kurmakum. Gjithashtu, dy vite më parë, Llapushi, së bashku me Saimir Frahollin u futën në mënyrë të dhunshme aksionerë në një kompani private e transportit rrugor. Llapushi ka qenë i dënuar për dy akuza të tjera, atë të “Plagosjes së rëndë me dashje” dhe “Mbajtjes pa leje dhe prodhimit të armëve dhe municionit”. 34-vjeçari është djali i Nevruz Llapushit, ish-oficer i Policisë së Shtetit dhe duket se Llapushi e ka shfrytëzuar pozicionin e të atit, pasi është arrestuar dhe akuzuar se ishte pjesë e një grupi të strukturuar kriminal që shantazhonte dhe terrorizonte me dhunë biznesmenët duke u vendosur gjoba. Për këtë arsye ai është arrestuar nga policia në vitin 2019. Në 15 maj të 2020 Erjon Llapushi ishte shënjestra e OFL-së për vetëdeklarimin e pasurisë ndërkohë që 4 muaj më parë Llapushi është arrestuar nga forcat blu pasi ka tentuar të trafikojë drejt Tiranës emigrantë të paligjshëm.
Jani Aliaj
Jani Aliaj është i dënuar në mungesë me burgim të përjetshëm, për vrasjen e bujshme në 1 maj 2016 në Tiranë, ku u vra Elton Çiço në lokalin ‘De Niro” në zonën e ish-bllokut. Jani Aliaj nuk ka bërë asnjë ditë burg dhe është ende në kërkim policor për një nga vrasjet që tronditi kryeqytetin 6 vite më parë.
Sipas OFL-së, ndaj Jani Aliaj, ka edhe një masë arresti me burg dhënë nga Gjykata e Përmetit, për veprat penale ”Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, ”Vrasja me dashje në lidhje me një krim tjetër, mbetur në tentativë” në bashkëpunim dhe “Armëmbajtja pa leje”.
Njoftimi i policisë:
Policia e Shtetit është e angazhuar maksimalisht për kapjen e personave në kërkim kombëtar dhe ndërkombëtar, kryesisht të atyre me rrezikshmëri të lartë shoqërore.
Falë dhe bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë, por edhe me qytetarët, gjatë tremujorit të parë të vitit 2022 janë kapur dhjetëra persona në kërkim kombëtar e ndërkombëtar, për vepra të ndryshme penale në fushën e krimeve kundër personit, pronës dhe në kuadër të krimit të organizuar.
Policia e Shtetit falënderon qytetarët për besimin dhe bashkëpunimin e deritanishëm, si dhe kërkon sërish bashkëpunimin e tyre për të bërë të mundur lokalizimin dhe kapjen e disa prej personave më të kërkuar, për vepra të rënda penale kundër personit dhe pronës, konkretisht të shtetasve:
TALO ÇELA, LAERT HAXHIU, JANI ALIA, IBRAHIM LICI DHE ERJON LLAPUSHI
Për çdo informacion të vlefshëm që do të çojë në lokalizimin e vendndodhjes së këtyre personave, Policia e Shtetit vë në dispozicion shuma të konsiderueshme parash.
Cilido që mund të disponojë informacione të vlefshme, të telefonojë në numrin e celularit 069 41 10 853, duke iu garantuar anonimat të plotë.