Një krim i rëndë është penguar nga forcat e policisë së Shkodrës. Bëhet fjalë për një atentat të ri që, sipas të dhënave hetimore dhe provave të konfiskuara, do të kishte në shënjestër Preng Gjinin.
Ky i fundit i mbijetoi një shpërthimi me eksploziv në lëvizje në muajin shtator të vitit 2020, në afërsi të zonës së Selitës në Tiranë.
Të lidhura
None found
Disa ditë më parë, efektivët e policisë së qytetit verior arrestuan në flagrancë 38-vjeçarin Euglen Buraku. Ky shtetas, banues në Durrës, u kap në fshatin Stajkë të Vaut të Dejës teksa qarkullonte me një automjet që mbante targa të vjetra të mbivendosura.
Në momentin e ndalimit, Buraku posedonte një sasi lënde plasëse të lidhur me një aparat celular, i cili shërbente si mekanizëm për shpërthim në distancë. Gjatë ekspertimit të telefonit të tij, u gjet e ruajtur një fotografi e viktimës së synuar, Preng Gjinit.
Hetuesit kanë arritur të zbulojnë edhe një person të dytë të përfshirë, të dyshuarin Eduard Përgjoka, 34 vjeç. Gjatë kontrollit në banesën e tij në Rubik, u sekuestruan kapsolla detonatore, 11 celularë dhe fara të bimës narkotike kanabis.
Përgjoka është shpallur në kërkim nga autoritetet. Ai dhe Euglen Buraku po hetohen bashkërisht për veprat penale të vrasjes me paramendim të mbetur në tentativë, armëmbajtjes pa leje, si dhe prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike.
Referuar hetimeve të Prokurorisë së Posaçme (SPAK) në dosjen e njohur si “REVANSHI”, atentati i parë ndaj Preng Gjinit kishte për motiv gjakmarrjen.
Për atë rast, janë vënë nën akuzë gjashtë persona, përfshirë urdhërues dhe individë që siguruan kushtet e nevojshme dhe mjetet materiale për kryerjen e vrasjes. Disa prej tyre ndodhen të arrestuar, ndërsa të tjerë janë në kërkim.
