Policia e Shtetit zhvilloi sot një kontroll të gjerë në kampin e Muxhahedinëve të MEK në Manzë të Durrësit pas një vendimi të lëshuar nga Gjykata e Tiranës.
Policia bëri me dije në një reagim të mëvonshëm se kontrolli po kryhet me kërkesë të SPAK dhe urdhër të GJKKO-së, por nuk thotë shkakun e kontrolleve duke theksuar se për gjithçka do të dilet në një reagim të mëvonshëm, i cili nevojitet pasi bëhet fjalë për një vendim të rendësishëm, i cili ndodh pak javë para Samitit vjetor të muxhahedinëve të MEK në Tiranë, të cilët kanë ardhur në Shqipëri me kërkesë të Departamentit të Shtetit.
“Në zbatim të urdhër-kontrolleve të nxjerra nga Gjykata, Policia e Shtetit ka marrë masa për zbatimin e tyre, me planin e kontrollit të ambienteve në territorin e kampit MEK, duke zbatuar me rigorozitet etikën dhe komunikimin e duke respektuar të drejtat dhe liritë themelore të të gjithë qytetarëve dhe komunitetit që banon në këtë kamp. Grupet e kontrollit të Policisë po vijojnë kontrollet në territorin e kampit MEK dhe në ambientet e brendshme të tij”, njofton policia.
Nuk dihet ende nëse shteti shqiptar është konsultuar apo jo me ambasadën amerikane në Tiranë për këtë ndërhyrje në kampin e MEK si edhe qëllimet finale të saj.
Shkaku i ndërhyrjes dhe arsyetimi i shtetit shqiptar duket se do të jetë faktori që do të ndikojë edhe reagimin apo jo të amerikanëve në lidhje me çfarë po ndodh tani në kampin e MEK.
Njoftimi i policisë
Policia e Shtetit
Në zbatim të vendimit të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe të urdhrit të ekzekutimit të Prokurorisë pranë kësaj Gjykate, për kontrollin e të gjitha ambienteve dhe zyrave ku banojnë për qëllime humanitare, Policia e Shtetit, në kuadër të një plani operacional, ka filluar kontrollin e të gjitha ambienteve dhe zyrave në kampin MEK, në Manëz, Durrës.
Në zbatim të urdhër-kontrolleve të nxjerra nga Gjykata, Policia e Shtetit ka marrë masa për zbatimin e tyre, me planin e kontrollit të ambienteve në territorin e kampit MEK, duke zbatuar me rigorozitet etikën dhe komunikimin e duke respektuar të drejtat dhe liritë themelore të të gjithë qytetarëve dhe komunitetit që banon në këtë kamp.
Grupet e kontrollit të Policisë po vijojnë kontrollet në territorin e kampit MEK dhe në ambientet e brendshme të tij.
Në përfundim të kontrolleve do të ketë njoftim më të detajuar.
/albeu.com