Policia aksion në një lokal në Durrës, në pranga dy shtetas që vendosnin skedina nga telefoni

Policia e Shtetit ka realizuar pak më parë një aksionin në një lokal në Durrës. Njoftohet se në pranga janë vënë dy shtetasit Ermal Sfinjari dhe Erandi Malo, pasi vendosnin skedina nëpërmjet telefonit.

Siç dihet bastet sportive prej disa vitesh tanimë janë një aktivitet i paligjshëm në vendin tonë:

Njoftimi i Policisë:

Durrës

Vijojnë kontrollet nga Policia e Durrësit për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Arrestohen në flagrancë 2 shtetas, të cilët nëpërmjet aparateve të tyre celular, organizonin aktivitetin e lotarive të palejuara të basteve sportive.

Në vijim të punës për evidentimin dhe ndëshkimin e paligjshmërisë, shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës, kanë goditur një rast të ushtrimit të aktivitetit të lotarive të palejuara, (basteve sportive), në Sukth, Durrës, duke arrestuar në flagrancë shtetasit E. S., 22 vjeç dhe E. M., 20 vjeç, banues në Sukth, Durrës.

Këta shtetas, janë kapur në flagrancë nga shërbimet e Policisë, në ambientin (PlayStation), në pronësi të shtetasit A. B., duke organizuar dhe ushtruar aktivitetin e paligjshëm të lotarive të palejuara (baste sportive), nëpërmjet aparateve të tyre celular, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Nga kontrolli i imtësishëm i ushtruar nga shërbimet e Policisë, në ambientet e brendshme ku disponohej informacion se mund të zhvillohej aktivitet i kundraligjshëm i lojrave të fatit nëpërmjet makinetave, çipsave, ruletave e sende të tjera që shërbenin për zhvillimin e këtyre lojrave, nuk është konstatuar asnjë send i tillë, përveç aparatëve celular të sekuestruar, që shërbenin për zhvillimin e aktivitetit të basteve sportive.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.


Shtuar 28.08.2021 16:31