Dritan Toska, efektiv i Patrullës së Përgjithshme në Komisariatin e Beratit u pezullua nga detyra pas denoncimit të një qytetareje se e kishte goditur.
Lajmi u bë i ditur nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, e cila ka vendosur pezullimin e tij nga detyra pas denoncimit që është bërë pasditen e djeshme.
Mësohet se efektivi Dritan Toska, me banim në Kuçovë, është përfshirë në një konflikt, fillimisht verbal me komshinjtë e tij ku “mollë sherri” është bërë një gardh ndarës mes dy familjeve.
Fillimisht konflikti ka nisur me të shara dhe ofendime dhe më pas efektivi ka qëlluar me pëllëmbë fqinjën e tij, e cila pretendon se në një moment ka dashur të nxjerrë edhe armën.
Edhe pse efektivi Dritan Toska nuk ka qenë në shërbim kur ndodhi konflikti, me përfshirjen e tij në konflikt si dhe me goditjen e gruas që e denoncoi, ka thyer rëndë Kodin Etik të Policisë së Shtetit.
Materialet hetimore në ngarkim të Toskës në lidhje me ngjarjen i kanë kaluar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Berat./Albeu.com/