Policët i “morën shpirtin”, rigjykohet çështja e Ilia Karelit në Greqi

Rasti i vdekjes së shqiptarit Ilia Kareli në Greqi që humbi jetën si pasojë e dhunës nga policia greke, do të rigjykohet.

Kareli u torturua barbarisht në Burgun e Nigritës në Mars 2014, dhe çështja po rigjykohet tashmë në Gjykatën e Apelit në Selanik.
Lajmin e bënë të ditur mediat greke.

Në sallën e gjyqit janë ulur 13 ish-zyrtarë të burgut Nigrita, të cilët u dënuan në shkallën e parë me 5 deri në 7 vite burg, ndërsa njëri prej tyre u dënua me 3 vite burgim me kusht. Të gjithë ish-zyrtarët e burgut ishin të lirë në pritje të gjykimit të Apelit, me kushtin e vetëm që të mos largohen nga vendi.

Në fillimin e gjykimit të Apelit, të pandehurit mohuan akuzat kundër tyre, duke deklaruar pafajësinë. Procesi i verifikimit të provave filloi me marrjen në pyetje të dëshmitarëve të prokurorisë.

Kujtojmë se gjykata e shkallës së parë i kishte shpallur të akuzuarit fajtor për kryerjen e torturës, e cila shkaktoi dëmtime të rënda trupore për Ilia Karelin. Sipas vendimit të shkallës së parë, vdekja e të burgosurit 42-vjeçar shqiptar ndodhi pas një sulmi në zemër, pak përpara mbërritjes së tij në Burgun e Nigritës.

HETIMET PËR VDEKJEN

Në orët e para të mëngjesit të 31 marsit 2014, vëllai i Ilir Karelit denoncoi në policinë e Fierit torturat çnjerëzore që ishin bërë mbi trupin e njeriut të tij në burgjet greke, prej nga kishte gjetur dhe vdekjen.

Mbi bazën e këtij denoncimi, prokuroria nisi hetimet për të hedhur dritë mbi krimin makabër, që në fakt ka shokuar mbarë opinionin, jo vetëm në Shqipëri, por edhe atë grek. Prokuroria e Fierit ka urdhëruar kryerjen e autopsisë së viktimës, për të përcaktuar shkaqet e vdekjes dhe dëmtimet e mundshme që i ishin shkaktuar të ndjerit. Ekspertët e mjekësisë ligjore kryen autopsinë e viktimës në prani të një prokurori dhe u ndodhën përpara fakteve tronditëse: jo vetëm që Ilir Kareli ishte dhunuar në mënyrë çnjerëzore, por të ndjerit i ishte shkulur dhe zemra.

Ilia (Ilir) Kareli gjeti vdekjen në burgun e Nigritës në Greqi, ku ishte transferuar pas vrasjes në burgun e Malandrinos të gardianit grek Jorgos Cironis. Autoritetet greke kanë nisur hetimin për vdekjen e Karelit, që mund të konsiderohet një skandal i autoriteteve, dhe pritet përfundimi i tyre për të nxjerrë para drejtësisë përgjegjësit e aktit makabër./albeu.com