Po i afrohej Kievit, pse ka ndaluar kolona 64 km e Rusisë (VIDEO)

Një autokolonë gjigante ushtarake ruse pranë kryeqytetit ukrainas të Kievit, e gjatë 64 kilometra, thuajse nuk ka lëvizur për tre ditë me radhë.

Sipas BBC, burime amerikane të inteligjencës sërish qëllimi i kësaj kolone është që të rrethojë Kievin, qytetin ku banojnë të paktën 3 milion banorë. Shiko KËTU videon.

Por përse ka ngecur autokolona?

Disa mund të jenë arsyet që autokolona me tanke, blinda dhe artileri ka ndaluar. Por tre kryesoret janë: problemet logjistike, rezistenca e papritur nga ukrainasit dhe morali i ulët mes trupave ruse.

Qeveria britanike thotë se bllokimet dhe defektet mekanike po shkaktojnë probleme. Po ashtu mungon ushqimi dhe karburanti. Ka raportime se gomat e cilësisë së dobët dhe të mirëmbajtura keq janë gjithashtu një problem.

“Ka një dështim masiv logjistik për të siguruar karburant, ushqim, pjesë këmbimi dhe goma. Ata ngecën në baltë, çka e bën të vështirë lëvizjen e mjeteve,” tha për BBC gjenerali britanik, Sir Richard Barrons.

Megjithatë ai tha se edhe çështjet e komandës dhe kontrollit- për shembull rrjetet problematike të komunikimit- janë një arsye që mund të shkaktojë probleme të tilla.

Pentagoni tha gjithashtu se Rusia ka probleme logjistike dhe ka marrë vendimin për t’u rigrupuar dhe rivlerësuar progresin e bërë dhe mënyrën për të kompensuar kohën e humbur.

Rezistenca ukrainase mendohet gjithashtu se po pengon përparimin e kolonës, sipas Pentagonit, edhe pse ata thanë se nuk mund ta verifikojnë plotësisht këtë pretendim.

Rezistenca ukrainase është më e fortë nga sa pritej dhe mund të ndikojë në moralin rus. Të martën një zyrtar amerikan i mbrojtjes u tha gazetarëve se kishte shenja të problemeve me moralin në forcat ruse, që po përdorin një numër të madh ushtarësh të rekrutuar. “Jo të gjithë ishin të vetëdijshëm se do dërgoheshin në luftë,” tha zyrtari.

Por a mund të shkatërrohet kolona?

Ukraina ka disa aftësi ajrore dhe ka përdorur dronët e fuqishëm të prodhuar nga Turqia për të shkatërruar autokolona të tjera ruse.

Por sipas gjeneralit Barrons, Kievi thjesht nuk ka forcën ushtarake të mjaftueshme për të shkatërruar një kolonë të kësaj madhësie.

“Ata kanë qenë të mirë në sulmet ndaj kolonës nga para dhe anash. Por çdo dëm i shkaktuar nga ajri do ishte shumë i lokalizuar”.

Rusia gjithashtu ka mbrojtje ajrore rreth kolonës, e cila mund të rrëzojë objektivat ukrainas, shton gjenerali Barrons. Pra një sulm ajror mbi kolonë do të rrezikonte që Ukraina të humbiste më shumë nga forcat ajrore tashmë të kufizuara.

Disa komentues kanë sugjeruar që NATO të shqyrtojë mundësinë e shkatërrimit të kolonës, por ky do të ishte një përshkallëzim i madh që do rrezikonte shpërthimin e luftës mes dy fuqive bërthamore.

Qeveritë perëndimore kanë thënë vazhdimisht se nuk kanë ndërmend të përfshihen direkt në konflikt.


Shtuar 4.03.2022 13:56