“Po e mbajnë peng në burg”, babai i djalit që akuzohet për grabitjen e bankës: Im bir është i pafajshëm (VIDEO)

Pamje që i ngjajnë një filmi Hollywoodian u pane nga të gjithë në bankën BKT në Koplik. 3 persona me maska dhe të armatosur kanë grabitur me forcë filialin e kësaj banke. Më 9 maj të vitit 2022, rreth orës 14:06.

Fiksojeni mirë datën dhe orarin! Autorët e ngjarjes arritën të merrnin 10.000 euro, 1000 dollarë dhe rreth 4 milionë lekë të vjetra. Ata përdorën 2 armë zjarri tip kallashnikov dhe automejtin “Golf 3” pa targa.

Policia e Shtetit në një kohë rekord arriti të zbardhte ngjarjen dhe u vuri prangat autorëve të dyshuar të krimit më date 5 qershor. U arrestuan Bekim Gurraj, Armir Shabaj dhe Admir Shabaj duke finalizuar operacionin policor të koduar “Syri i Sheganit”.

Kujtim Shabaj, babai i Admirit, 18-vjeçarit të arrestuar për grabitjen e bankës pretendon se djali i tij është i pafajshëm dhe akuzon direkt Bekim Gurrajn se mban djalin e tij kot në burg.

“Djali im është i pafajshëm. Nuk ka qenë fare në momentin që është grabitur banka. Ai mbahet peng nga Bekim mallkim Gurraj. Ky i fundit e ka future në burg për të mbrojtur vëllain e tij Klevisin. Fillimisht ka thënë se ka qenë pjesë e grabitjes brenda bankës, më pas se ka qenë në makinë kur ka rënë poshtë akuza e parë. Prokuroria nuk ka asnjë fakt”, thotë fillimisht Kujtim Shabaj.

Ai nxjerr në skenë dhe një dëshmitar tjetër, Ralfi Malajn. Shokun e Adimirit, ky i fundit pranon se Admiri ka qenë me të. “Ai ka qenë me mua ditën kur ka ndodhur ngjarja. I kam bërë dhe një video nga lokali ku ishim. Kemi qenë bashkë nga ora 12:30 deri në orën 15:00”.

Për të qenë të bindur me dëshminë e tij flasim dhe me Admirin vetë nga burgu. “Kam qenë me Ralfin nga ora 12:30 deri në 15:00. Nuk kam qenë në grabitje, vetë Bekimi më ka thënë do të të nxjerr se dua të mbroj villain. Nuk ia kam besën më, por unë jam krejtësisht i pafajshëm”.

Kujtim e çon në tjetër nivel bindjen e tij. Ai kap vëllain e Bekimit, Klevisin dhe e kupton mjaft qartë se Admiri nuk ka qenë. “Admiri nuk ka qenë në grabitje, po të flas hapur para Zotit. Bekimi ka bërë një budallallik të madh në këtë rast. Dua që Admiri të dal sa më parë jashtë sepse është i pafajshëm. Tutat që kanë qenë te grabitja janë marrë nga rafti im, e di unë se janë djegur”.

Për t’i vënë kapak kësaj historie është dhe telefonata e Bekimit me Kujtimin nga burgu i Reçit. “E kam rregulluar atë punë. Adi do të dalë i lire, nuk ka qenë pjesë e grabitjes”, thotë Bekimi me gojën e tij nga burgu i Reçit.


Shtuar 10.03.2023 22:32