Po bashkëpunon me aleatin e Putinit/ Editoriali Rama-Vuçiç, Berisha: Duan “Ballkanin e Hapur”, presidenti serb lidhje me ‘Ujkun e bardhë’, Edi me Agasin

Në një bashkëbisedim me qytetarët në rrjetet sociale, kreu i PD-së, Sali Berisha, komentoi editorialin e përbashkët të publikuar në Frankfurter Allgemeine Zeitung (FAZ), nga kryeministri Edi Rama dhe presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç.

Këta të fundit propozuan idenë e një integrimi të përshpejtuar të vendeve kandidate të përgatitura në tregun e brendshëm të BE-së dhe në hapësirën Shengen, pa cenuar balancën ekzistuese institucionale të Unionit. Pra, pa të drejta vetoje, pa komisionerë shtesë dhe pa prekur strukturat vendimmarrëse.

Berisha e cilësoi bashkëpunimin e Ramës me Vuçiçin si rikthim te ‘Ballkani i Hapur’, e cila shkatërroi përfundimisht bujqësinë dhe ekonominë shqiptare.

Berisha: Tani, zhvillimi më i fundit siç e patë ju, ishte artikulli që shkroi me padronin e tij, Aleksandër Vuçiç në Frankfurter Allgemine Zeitung.

Aleksandër Vuçiç, i akuzuar së fundmi për safarin, gjahun e qytetarëve myslimanë në Sarajevë, si snajper që shkonte dhe bënte gjah në vikende, mori argatin e tij për t’u paraqitur me një editorial të gjatë në Frankfurter Allgemine Zeitung.

Çfarë kërkonin dy kryetarët e organizatave kriminale më të rrezikshme të Europës, Edi Rama dhe Aleksandër Vuçiç.

Po, po, Aleksandër Vuçiç është gjetur se ka lidhje me Bjelivukun apo Ujkun e Bardhë dhe bandën e tij, njerëz që thernin dhe bluanin mishrat e kundërshtarëve politikë në brigjet e Danubit, njësoj siç është Ergys Agasit i cili me pam-pam apo me pengmarrje zgjidhte të gjitha problemet e kopshtit privat të Edi Ramës.

Pra, këta bëjnë një kryeartikull, në të cilin i thonë Europës se nuk ka nevojë të jemi anëtarë me të drejta të plota në BE, sepse nënkuptohet rregullat nuk i zbatojnë dot, kriteret nuk i zbatojnë dot, por na jepni tregun.

Pra, me një fjalë, ky argat u rikthye tek Ballkani i Hapur, na jepni tregun e lirë.

U rikthye tek Ballkani i Hapur me të cilin ky shkatërroi përfundimisht ekonominë, bujqësinë shqiptare.

Nuk kishte akt më antishqiptar.

Bashkohet me aleatin e Putinit tani që e sheh se dera e Brukselit, dera e integrimit po i mbyllet për shkak të vjedhjeve të tij.

Ne jemi sot për t’i deklaruar Edi Ramës se opozita shqiptare ka dhe do ketë si ylli e saj polar integrimin e plotë të Shqipërisë në BE.

Integrimin e bazuar në meritë, e bazuar në funksionimin e shtetit ligjor, e bazuar në kriteret dhe standardet demokratike.

Prandaj dhe përpiqu, bëj gati kërkesën për strehim politik në Beograd, por të garantoj se bashkë me të do përfundoni diku tjetër se edhe atij demokratët dhe populli shqiptar do i japë përgjigjen e merituar.


Shtuar 28.02.2026 13:52