“Plumbi i Artë” dhe “Asgjë nuk harrohet”, Gjykata i caktoi Berishës avokatin e “penditove”, postimi në Facebook që e dogji

Largimi nga seanca gjyqësore i dy avokatëve Sokol Mëngjesi dhe Genc Gjokutaj, të cilët mbrojnë interesat ligjore të ish-kryeministrit Sali Berisha, solli nxjerjen në skenë të një avokati të caktuar kryesisht nga vetë gjyqtarja, Irena Gjoka.

Me vendimin e saj të ndërmjetëm kryetarja e GJKKO-së Irena Gjoka, urdhëroi që përfaqësuesi ligjor i Berishës të ishte pikërisht avokati Artan Simoni.

Shumë pak kolegë dhe njerëzit e zakonshëm që njohin Artan Simonin, por dhe për atë pakicë njerëzish në SPAK, Simoni njihet si avokati i bashkëpunëtorëve të Drejtësisë që kanë rëfyer krimet e tyre në prokurori, shkruan Ora News.

Artan Simoni është avokati që thirret nga SPAK dhe oficerët e BKH-së sa herë nevojitet të pyesë Nuredin Dumanin, Luftar Reçin, Skerdi Tasin e të tjerë, persona këta të arrestuar në vitin 2021 gjatë operacionit të koduar “Plumbi i artë” dhe operacionin “Asgjë nuk harohet”.

Edhe gjetja e tij “blic” nga gjykata, duke e caktuar kryesisht në gjyqin kundër Sali Berishës, nuk është çudi që emri i Simonit të jetë kërkuar nga vetë prokurorët e SPAK, të cilët e kanë përdorur avokatin në shumë procedura të ngushtme, pyetje penditosh dhe jo vetëm.

Lexo edhe: Shtyhet sërish seanca për Berishën, GJKKO pranon kërkesën e SPAK për zëvendësimin e Artan Simonit me një avokat tjetër

Për zgjidhjen e seancës së djeshme, ku pritej të caktohej masa e sigurisë ndaj Berishës, u gjend pikërisht avokati i të penduarve të SPAK-ut, Nuredin Dumanit, Luftar Reçit, Skerdi Tasit dhe Klevis Allës.

Me sa duket urgjenca e SPAK-ut për të zgjidhur njëherë e mirë ngërçin procedurial të lindur me çështjen e Sali Berishës, solli riaktivizimin e avokatit Artan Simoni.

E teksa paraqitja e tij në sallën e gjyqit si avokat mbrojtës i Sali Berishës, solli pak frymëmarrje për prokurorët dhe gjykatën, sërisht dolën probleme proceduriale për shkak të një komenti që vetë avokati kishte botuar në statusin e tij në “FB”, koment që në dukje i adresohej pikërisht Sali Berishës.

“Bisha është plakur, bisha është lodhur, bisha s’mundet më. Shumë prej atyre që dikur bisha mbante mbi kurriz, pas kurrizit kanë filluar t’a çukasin. Ku gaboi bisha?!”-ishte statusi i Artan Simonit të publikuar dy ditë më parë.

Prokurorët pasi u njohën me raportimin mediatik rreth përmbajtjes së këtij statusi, i kërkuan gjykatëses Irena Gjoka, që të përjashtonte avokatin Simoni, pasi kishte paragjykuar dhe komentuar rreth subjektit të hetimit në këtë proces, Sali Berisha.

Kjo kërkesë e dy prokurorëve të SPAK, është pranuar nga gjykata e cila më pas vendosi të shtyjë seancën për ditën e sotme, duke caktuar dy avokatë të tjerë kryesisht, por pa treguar emrat e tyre.

“Me kërkese te Prokurorisë, me qellim garantimin e mbrojtjes efektive, Gjykata zëvendësoi avokatin Artan Simoni me avokat tjetër nga lista e avokatëve kryesisht dhe i la kohë të njihet me aktet. Seanca do të zhvillohet në datën 26.10.2023 ora 10am.”, thuhet në njoftimin e GJKKO-së./ALbeu.com 


Shtuar 26.10.2023 09:41