Lulzim Basha, është shprehur se krijimi i shtetit të ri Bektashi të ideuar nga kryeministri Edi Rama, është bërë me qëllim largimin e vëmendjes nga skandalet kryesore të qeverisë.
Komentet Basha i bëri në Euronews Albania, ku tha se po ashtu ka një shqetësim të përhershëm të Ramës dhe jo vetëm për të krijuar një territor që nuk e prek dot SPAK.
Ai tha gjithashtu se nëse ky shtet krijohet, do të jetë enklava më e çuditshme në botë, e cila do të mbushet me politikanë të korruptuar që përpiqen t’i shpëtojnë drejtësisë.
“S’ka fare shans që të bëhet një shtet i tillë sepse bektashinjtë dhe gjithë shqiptarët kanë luftuar për Shqipërinë si një shtet unitar. Nuk kanë luftuar që ta bëjnë copa copa. Është e qartë që Rama këtë e ka thjeshtë dhe vetëm për të hequr vëmendjen nga skandalet e shumta.
Cilat janë 2 çështjet për të cilat është përfolur Edi Rama në Nju Jork Times? Është përfolur për skandalin McGonigal dhe për premtimet që i ka bërë dhëndrit të kandidatit për President të SHBA-ve, Jared Kushner për t’i dhënë ishullin e Sazanit. Për të hequr këto të dyja nga vëmendja, ai ka lançuar një tjetër propozim, që merret me seriozitet.
Në OKB kanë folur plotë të marrë, si Çavez, Kastro. E vetmja gjë që shpalos një propozim i tillë është një shqetësim i përhershëm i Ramës dhe jo vetëm, për të krijuar një territor që të mos e prekë dot SPAK. Ideja është të krijojmë një enklavë që të mos na prekë SPAK.
Do të jetë enklava më e çuditshme në botë, që do të mbushet me politikanë të korruptuar. Edi Ramës nuk i bëhet vonë për Bektashinjtë. Sepse jo vetëm që njollos kontributin e tyre për Shqipërinë, por është edhe një akt kundër harmonisë fetare”, tha Basha.