Plagosi 62-vjeçarin në Fushë Krujë dhe u “zhduk”, policia i gjen armën dhe “fermë” kanabisi

Ndërsa vijojnë kërkimet për autorin e plagosjes në Fushë Krujë, policia duket se ka lokalizuar një ambient të përshtatur për kultivimin e bimëve narkotike.

Gjatë kontrollit të banesës së autorit të dyshuar, 44-vjeçarit Blerim Selaci, u gjet laboratori i kanabisit si dhe arma me të cilën dyshohet të jetë bërë plagosja, një pistoletë me mulli dhe municion luftarak. Ndërkohë, vijojnë kontrollet dhe krehja e zonës.

Kujtojmë se një plagosje me armë zjarri ka ndodhur pasditen e së hënës në Fushë Krujë. Ngjarja ka ndodhur në lagjen “Punëtori”, ku pas një konflikti të çastit, 44-vjeçari Blerim Selaci ka plagosur me armë zjarri 62-vjeçarin Lutfi Kupa.

Njoftimi i policisë:

Fushë Krujë/Vijon krehja e zonës dhe kontrolli i ambienteve, ku dyshohet se mund të fshihet autori i plagosjes së 62-vjeçarit .

Zbulohet një ambient i përshtatur për kultivimin e bimëve narkotike, me anë të llambave. Gjithashtu, gjendet dhe sekuestrohet arma e krimit me të cilën 44-vjeçari dyshohet se plagosi në këmbë, 62-vjeçarin.

Gjatë kontrollit të banesës së autorit të dyshuar, 44-vjeçarit B. S., shërbimet e Policisë zbuluan një ambient të përshtatur për kultivimin e bimëve narkotike, me anë të llambave.

Gjatë kontrollit u sekuestruan bimë të dyshuara narkotike në proces tharjeje, si dhe pajise elektrike që shërbenin për kultivimin e bimëve narkotike.

Gjithashtu, gjatë kontrollit, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan edhe një armë zjarri pistoletë me mulli dhe municion luftarak.

Vijojnë kontrollet dhe krehja e zonës, ndërkohë grupi hetimor, nën drejtim e Prokurorisë, vijon punën për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarjeje.

 


Shtuar 6.06.2022 20:01