Me transferimin e Cristiano Ronaldos drejt Al-Nassr, rritja e nivelit të futbollit në Arabinë Saudite pritet të jetë tepër e madhe, me “luzitanin”, i cili është i vendosur për të treguar shembullin e tij në tokën saudite.
Kalimin e 5 herë fituesit të Topit të Artë e komentuan shumë, lojtarë e trajnerë, analistë e futbolldashës, por ndër të fundit që ka komentuar këtë transfertë është dhe ish-mesfushori i Barcelonës e Juventusit, Miralem Pjaniç. Ashtu si Ronaldo, edhe boshnjaku luan në Lindjen e Mesme, më saktë për ekipin e Al-Sharjah, në Emiratet e Bashkuara Arabe.
“Cristiano Ronaldo ka shkuar te Al-Nassr, një klub shumë ambicioz. Jam i bindur se Lindja e Mesme do të jetë padyshim e ardhmja e futbollit. Ka vende që kanë shumë për të ofruar, por potenciali i plotë ende nuk është arritur. Nuk u befasova aspak nga zgjedhja e Cristianos. Edhe në Arabi niveli nuk është aq i lehtë sa mendojnë njerëzit. Besoj se zgjedhja e tij do të sjellë rritje të madhe ”, ka rrëfyer 33-vjeçari, boshnjak, për mikrofonat e Tuttosport.
Ardhja e Cristianos ndryshon tërësisht peizazhin e Arabisë Saudite dhe kjo mund të bëjë që shumë futbollistë të tjerë të vendosin të shkojnë në ato liga . Superkupa e Spanjës po luhet këto ditë në Arabi. Një tjetër demonstrim se vendi dëshiron të rritet në futboll dhe ka aftësinë për të pritur Kupën e Botës 2030. /albeu.com