Pirlon e “tradhton” edhe CR7, Juventusi përgatit një rikthim në stol

Sezon për t’u harruar për Juventusin deri tani. Dështim në Champions, teksa bardhezinjtë nuk po ia dalin të fitojnë titullin e dhjetë radhazi. Kurora do t’i shkojë Interit këtë sezon, ndërsa skuadra e Andrea Pirlos rrezikon seriozisht kualifikimin në Champions për sezonin e ardhshëm.

Drejtuesit po mendojnë të bëjnë një ndryshim në stol. Basti për t’i besuar pankinën Andrea Pirlos nuk ka qëlluar pozitiv dhe ndeshja e ditës së mërkurë kundër Napolit është vendimtare për të ardhmen e ish-mesfushorit të madh italian.

Ronaldo dhe Allegri duke festuar një nga titujt

Në Spanjë raportojnë se edhe Cristiano Ronaldo ka dhënë miratimin e tij për ndryshimin e trajnerit në fund të sezonit. Ylli portugez është shprehur pro rikthimit të Max Allegrit. Ky i fundit ndodhet në “pole” për të zëvendësuar Pirlon.

Allegri drejtoi “Zonjën” në vitet 2014-2019, periudhë gjatë së cilës fitoi 11 trofe dhe dërgoi ekipi dy herë në finalen e Champions League. 53-vjeçari ka ruajtur raporte të mira me të gjithë te Juventusi, sidomos me presidentin Agnelli dhe CR7.


Shtuar 5.04.2021 23:55