Pezullohen katër policë për rastin e vrasjes së gruas shtatzënë

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, njoftoi se katër zyrtarë policorë janë suspenduar për shkak të shkeljeve sa i përket rastit të urdhrit të mbrojtjes të lëshuar për Hamide Magashin, gruan shtatzënë që dyshohet se u vra nga bashkëshorti i saj më 30 nëntor.

“Po ashtu, të gjetjet e deritanishme do të përcillen në prokurori për trajtim penal”, tha Sveçla.

Rekomandimin për suspendimin e tyre e bëri paraprakisht Inspektorati Policor i Kosovës.

Sipas IPK-së, komandanti i stacionit policor në Lipjan, një rreshter dhe dy hetues, dyshohen për veprat penale: “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Falsifikimi i dokumentit zyrtar”.

Vetë ministrja e Drejtësisë e Kosovës, Albulena Haxhiu, ka deklaruar se vrasja e Magashit ishte si “pasojë e papërgjegjësisë institucionale”. Ndërkaq, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se personat përgjegjës duhet të japin dorëheqje ose të shkarkohen.

Magashi, 35-vjeçare, dyshohet se u vra nga bashkëshorti i saj, Sokol Halili, pranë ndërtesës së Klinikës së Gjinekologjisë në Prishtinë, ku ajo ishte shtrirë në pritje të lindjes së fëmijës së saj.

Gjykata Themelore në Ferizaj ka konfirmuar se ishte lëshuar urdhër mbrojtjeje për gruan tashmë të ndjerë, prej datës 13 shtator 2022 deri më 13 mars 2023. Kërkesa për këtë urdhër ishte parashtruar më 8 shator.

Më 23 shtator 2022, Gjykata Themelore e Ferizajt, me aktgjykim, kishte shpallur të pandehurin, Sokol Halili, fajtor për veprën penale: mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve. Ai u dënua me gjobë.

Pas dy ditëve në arrati, më 2 dhjetor, autoritetet njoftuan se Halili kreu vetëvrasje përkundër “tentativës së zyrtarëve policorë që të negociojnë dorëzimin”.

Policia e Kosovës tha se ai është gjetur në fshatin Davidovc të Komunës së Shtimes, të premten rreth orës 13:45.

Sipas disa raportimeve në media, Halili ka qenë banor i kësaj komune.


Shtuar 3.12.2022 16:43