Nëse monitoroni nivelet e sheqerit në gjak, mund të jetë zhgënjyese t’i shihni ato të larta që në mëngjes. Megjithatë, nivelet më të larta të glukozës në mëngjes konsiderohen normale, pasi trupi prodhon kortizol, hormonin e stresit, i cili mund të çojë në një rritje të sheqerit në gjak rreth orës 7 ose 8 të mëngjesit, shpjegon Kunal K. Shah, asistent profesor në departamentin e endokrinologjisë në Shkollën Mjekësore Rutgers Robert Wood Johnson në New Brunswick, New Jersey.
Kjo është arsyeja pse është e rëndësishme ta filloni ditën tuaj duke adoptuar zakone të shëndetshme që do ta mbajnë nën kontroll sheqerin në gjak me kalimin e ditës, përcjell dritare.net
Një gotë me ujë
Gjëja e parë që duhet të bëni kur hapni sytë është të hidratoheni. Sipas ekspertëve, kur jeni të dehidratuar, trupi juaj përmban më pak ujë, duke rezultuar në nivele më të larta të sheqerit në gjak, sipas Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC). Sheqeri i lartë gjithashtu krijon më shumë diurezë, e cila mund t’ju bëjë edhe më të dehidratuar. Prandaj sigurohuni që të pini ujë në mëngjes, por edhe gjatë gjithë ditës.
Mëngjesi i ekuilibruar
Një mëngjes i mirë mund t’ju mbajë të ngopur gjatë gjithë ditës, por edhe të rregullojë nivelin e sheqerit. Kjo mund të arrihet duke zgjedhur një mëngjes të pasur me proteina dhe fibra, për të ngrënë brenda një ore pas zgjimit. Në këtë mënyrë shmangen vlerat e paqëndrueshme të glukozës, të cilat mund të ndodhin nëse anashkalohet mëngjesi, por edhe për të ruajtur ngopjen, thekson Anthea Levi, dietologe.
Një zgjedhje e mirë është një omëletë me perime, avokado dhe një fetë bukë gruri integral ose puding me fara chia me manaferra dhe kos.
Një filxhan kafe
Nëse kafja është një element kryesor i rutinës suaj të mëngjesit, mund të mos keni nevojë ta hiqni dorë plotësisht. Megjithatë, duhet kujdes në përdorimin e sheqerit. CDC vëren se disa njerëz janë thjesht tepër të ndjeshëm ndaj kafeinës dhe mund të vërejnë një rritje të sheqerit në gjak vetëm nga kafeja e thjeshtë, çështja e vërtetë është se çfarë i shtoni asaj, sipas Anthea Levi.
Sa i përket qumështit, dietologia sugjeron që të preferoni një sasi të vogël qumështi me pak yndyrë ose një pije me bazë bimore pa sheqerna të shtuara.
Zgjohu më herët
Stresi i përgatitjes në mëngjes nga ana tjetër rrit nivelet e sheqerit në gjak pasi prodhohet më shumë kortizol, sipas Dr. Shah. Kjo ndodh sepse sasi më të mëdha të glukozës lëshohen në gjak nga mëlçia.
Prandaj dr. Shahu rekomandon t’i jepni vetes më shumë kohë në mëngjes. Kjo sigurisht do të thotë që duhet të keni kujdes dhe të flini herët, në mënyrë që të plotësoni të paktën 7 orë gjumë cilësor.
Në të njëjtën kohë, ju mund të aplikoni qetësinë në rutinën tuaj të mëngjesit duke medituar, duke bërë joga ose duke dëgjuar muzikë relaksuese.
Ushtrohu!
Edhe një shëtitje dhjetë minuta pas mëngjesit është e mjaftueshme për të ulur nivelin e sheqerit në gjak, sipas Anthea Levi. Prandaj, ushtrimet e tjera aerobike, të tilla si çiklizmi ose vrapimi, janë të dobishme në rregullimin e sheqerit. Nga ana tjetër, do të ishte mirë të shmangeshin ushtrimet me pesha, pasi ato mund të kenë rezultate të kundërta, sipas Dr. Shahu.