Nga Teuta Toska
Qeparoja m’u duk një nga plazhet më të bukura në Shqipëri. Shtrihet dhe zgjerohet buzë detit pa shumë lakmi dhe ethe ndërtimore, krahasuar me betonizimin e frikshëm të Dhërmisë, Drimadhesit, që i ka aq afër.
Fshati lart në mal i qëndron mbi krye si hije këtij tjetrit buzë Jonit dhe ndërtesat e reja që janë ndërtuar për turistët (banorët e përkohshëm të verës) nuk të bëjnë ta harrosh atë mbi mal dhe as të pengojnë ta shohësh për çdo çast të ditës.
Pamja që merr për të dyja pjesët e fshatit, të vjetrit dhe të riut, kur ke ndaluar notin pak në thellësi dhe pluskon në qetësi, të magjeps. Historikja dhe e reja ndërthuren mirë me njëra-tjetrën, edhe pse pak larg. Lungomarja apo pedonalja, apo shëtitorja buzë detit, është punuar aq mirë.
Njerëzit shëtisin mëngjeseve dhe mbrëmjeve dhe bimësinë e Mesdheut: lulen e akshamit, serdenin, fikun, rrushin, fikun e detit, fikun e egër kinez, borzilokun t’i kap syri kudo. Mbrëmjeve lulja e akshamit ose lulja e natës (italianët e quajnë Bella di Note) përhap një aromë të mrekullueshme.
Njerëzit që shërbejnë janë të qetë dhe të sjellshëm, çmimet më se të pranueshme. Në Elbasan ka restorante me çmime edhe më të larta.
Dy probleme që duhen ndrequr: fundi i pedonales, në drejtim nga Jugu, ka mbetur pa përfunduar (si çdo punë publike në Shqipëri), dhe mbaron me një gropë të hatashme në fund të së cilës rrjedh një nga burimet e shumta të Qeparosë që dalin nga shkëmbi.
Nuk ka asnjë tabelë lajmëruese që të mbron nga rreziku i rrëzimit (më e pakta do thyesh brinjët e këmbët; më e keqja, ruajna Zot), dhe asnjë gur e tra pengues.
Në mbrëmje fëmijët me biçikleta e monopatina, apo ndonjë turist që s’e njeh Qeparonë mund të përfundojë poshtë nja 5 metra. Sa pa frikë për jetën jetojnë njerëzit në Shqipëri!
Dhe problemi tjetër janë koshat e plehrave. Nuk gjenden gjëkundi. Në pedonale jo e jo. Duhet të ecja 1 km në këmbë për të shkuar të koshat (të vetmit e Qeparosë, ndoshta).
E megjithatë, dua të kthehem prapë në Qeparo. Aq më tepër që rruga e re nga Vlora të nxjerr pikërisht në qendër të fshatit poshtë. Nga hyrja e Vlorës deri në Qeparo 1 orë e 20 minuta, me makinën time.