Zona e Baks-Rrjollit në Velipojë, u shndërrua këtë të shtunë në një vatër tensioni, ku banorët u përplasën sërish me punonjësit e kompanisë së ndërtimit dhe të sigurisë private, të cilët nuk i lejuan të futeshin në trojet për të cilat pretendojnë pronësinë.
Sipas banorëve, punonjës të një kompanie sigurie private, të kontraktuar nga investitori, ndërhynë për t’i penguar ata të hynin në pronat që pretendojnë se u përkasin prej brezash.
Përplasja degradoi në përdorimin e shkopinjve të gomës dhe sendeve të forta. Nga ana tjetër, gjatë tensioneve, banorët dëmtuan me sende të forta ekskavatorët e firmës së ndërtimit.
Banorët pretendojnë se dokumentet e pronësisë, janë tjetërsuar nga një person i tretë dhe më pas janë shitur tek biznesmeni që synon të ndërtojë një resort turistik në zonë.
Çështja ndodhet aktualisht në procese gjyqësore, ndërsa, sipas tyre, kompania ka vijuar punimet për rrethimin e truallit, pavarësisht konfliktit ligjor.
Protesta e banorëve ka hyrë në ditën e 27-të radhazi. Gjatë kësaj periudhe, janë shoqëruar disa persona nga Policia e Shkodrës, por Prokuroria e Shkodrës i ka cilësuar disa prej këtyre shoqërimeve si të pavlefshme.
Një ditë më parë, gjatë protestës, dy persona përfunduan në spital me lëndime në trup. Po ashtu, një 17-vjeçar dyshohet se është goditur disa herë me grushte nga një punonjës sigurie private i veshur me uniformë të ngjashme me atë të Policisë së Shtetit.
Situata në zonë mbetet e tensionuar, ndërsa banorët paralajmërojnë vijimin e protestave deri në zgjidhjen e konfliktit të pronësisë.
