Mëngjesin e sotëm, Moska ka lëshuar një paralajmërim për Perëndimin, për përfshirjen e tij në konfliktin ukrainas.
Sipas agjencisë shtetërore të lajmeve RIA, zëvendësministri i Jashtëm Sergei Ryabkov, ka thënë se Rusia do të marrë kundërmasat e duhura në përgjigje të “përfshirjes në rritje” të Perëndimit në luftën me Ukrainën.
Fuqitë perëndimore i kanë ofruar Ukrainës mbështetje ushtarake gjatë gjithë konfliktit dhe kanë vendosur sanksione gjymtuese ndaj aseteve ruse.
“Ne paralajmërojmë dhe shpresojmë që ata të kuptojnë rrezikun e përshkallëzimit të pakontrolluar në Uashington dhe kryeqytete të tjera perëndimore”, ka thënë Ryabkov.
Një ditë më parë, presidenti rus Vladimir Putin tha se një numër i sulmeve me raketa që goditën qytetet e Ukrainës, duke vrarë të paktën 14, ishin në hakmarrje për sulmet në territorin rus.
Ka të ngjarë që ai i referohej bombardimit të urës Kerch në Krime, për të cilën Moska fajëson forcat ukrainase./albeu.com