Përplasja në Manzë, debate te Siguria: Çuçi të vijë të japë llogari!

Përplasja mes muxhahedinëve dhe policisë në Manzë duke rezultuar me një të vdekur për shkak të një infarkti ka shkaktuar debate edhe në mbledhjen e Komisionit të Sigurisë në Kuvend.

Deputetët e opozitës kërkuan paraqitjen e ministrit të Brendshëm në mënyrë urgjente për të dhënë sqarime në lidhje me çfarë ndodhi sot në Manzë si edhe shkaqet që çuan në ndërhyrjen e policisë ndaj muxhahedinëve.

Deputeti i PD-së Ferdinand Xhaferaj e cilësoi këtë ngjarje si një skandal, nisur edhe nga fakti se muxhahedinët kanë ardhur këtu me kërkesë të amerikanëve, kurse kryetari i Komisionit Nasip Naço tha se më parë duhet marrë informacion pastaj të reagohet.

Debatet:

Ferdinand Xhaferaj: Nuk mund të nisim këtë komision kur në Manzë ka ndodhur një ngjarje e rëndë. Muxhahedinët boll i ka masakruar regjimi iranian. Ato kanë ardhur të mbrohen nga qeveria shqiptare, dhe jo të vriten nga policia shqiptare. Ky është akt skandaloz. Kjo është pritja shqiptare?! Kryeministri Rama merrte dekoratë mikpritje për afganët. Ky është kodi i mikpritjes? Kemi një marrëveshje, ata kanë ardhur këtu për t’u mbrojtur dhe në një kërkesë të aleatit strategjik. A janë bërë këto nga një vendim? Nëse duhet të respektojmë dinjitetin tonë, thërrisni ministrin këtu nesër!

Nasip Naço: Ndonëse keni informacion më të azhornuar, por mos dilni me konkluzione si ekspertë. Nëse del si ekspert me konkluzione…

Ferdinand Xhaferaj: Të vijë nesër ministri.

Nasip Naço: Ti dhe bërtet mo burrë, dale se vuajmë nga zemra. Mënyra se si aktroni ju, është….

Ferinand Xhaferaj: Një nga Shqipëria për aktrim.

Zv.ministri Hodaj: Nuk ka pasur informacion për viktima brenda, por duhet të presim dhe ta konfirmojmë. E kuptoj se dhe në kuadrin ku ka presion, besoj se policia del për të sqaruar të gjithë gjënë.

Flamur Noka: Vendimi i një gjykate duhet zbatuar dhe është detyrë e policisë së Shtetit. Askush nuk thotë pse u bë kjo ndërhyrje. Në media qarkullon informacioni, mbase të pakonfirmuara, për dhunë të ushtruar ndaj muxhahedinëve.

Ne jemi të gjithë anëtarë të Komisionit të Sigurisë, kam qenë ministër dhe kam firmosur sjelljen e një ekipi prej 300 muxhahedinësh në Shqipëri. Jemi të qartë se ka dhe mund të ketë dhe elementë të infiltruar brenda muxhahedinëve.

Kjo nuk përligj në asnjë rrethanë ekskalim të situatës nga ana e forcave të policisë. Policia duhet të ndërhyjë. Policia duhet të ndërhyjë me qetësi dhe jo me dhunë.

Ajo që më shqetëson është që zv/min i Brendshëm në rast se ju keni informacion aq sa ka media. Kjo ka shpjegim; ose po mbani të fshehtë realitetin, ose në rast se keni informacion aq sa ka dhënë media, tregon se këtu shteti nuk funksionon.

Në rast se nuk jeni në gjendje të na informoni, kërkesa e Xhaferajt është e saktë.

Ne duam që të dimë se çfarë ka ndodhur dhe jo të drejtojmë gishtin. Në rast se nuk informoni dot me detaje, nesër ministri të vijë të informojë për gjendjen, pasojat dhe arsyet e ndërhyrjes. Mund të bëjmë dhe seancë me dyer të mbyllura.

Hodaj: Ministri nuk ka tagër që të dijë informacione. Po merrni për të mirëqenë dhunë dhe pretendoni që unë…

Flamur Noka: Nuk po ju kërkoj info që të jepni sekretet. Por mediat kanë ngritur një alarm që atje ka eskalim të situatës, që atje ka dhunë. Mediat thonë se ka viktima dhe ajo që iu kërkova është që të sqaroni komisionin se çfarë informacione keni. Të më citosh ligjin është largim nga përgjigja. Duam informacion që kjo situatë, të jetë dhe të kemi një panoramë të qartë të asaj se çka ndodh. Jam i bindur që ka informacion top-sekret, ndaj mund ta bëjmë një mbledhje me dyert të mbyllura, por mos bëni rolin e strucit, se kjo nuk shkon.

Ferdinand Xhaferaj: Do ju lutesha shumë që çdo detaj, s’kemi pasur që ta vendosim në pozitë të vështirë zv.ministrin. Edhe ai vetë u shpreh se; nuk kam informacione më shumë se sa ju.

Ndaj ndërtova kërkesën për të pasur kohën e mjaftueshme që nesër të vijë ministri.

Mua më konfirmuan se një prej muxhahedinëve ka humbur jetën nga përdorimi i gazit lotsjellës. Nesër është gjëja më normale e mundshme që të vijojmë mbledhjen.

Pse ka frikë që të vijë nesër ministri?! Më shqetëson raporti me SHBA dhe mua më intereson interesi kombëtar i Shqipërisë. Nesër ministri duhet të vijë të japë llogari.

Çfarë ndodhi në Manzë

Policia e Shtetit zhvilloi sot një kontroll të gjerë në kampin e Muxhahedinëve të MEK në Manzë të Durrësit pas një vendimi të lëshuar nga Gjykata e Tiranës. Gjatë kontrollit pati pëplasje mes policisë dhe muxhahedinëve në kamp, të cilët rezistuan për të dhënë dokumentacionin e kërkuar si edhe hapjen e të gjitha ambienteve.

Nga përplasja dhe përdorimi i gazit lotsjellës pati edhe një të vdekur si edhe disa të lënduar, ndërsa në kamp ka shkuar edhe një prokuror nga Prokuroria e Durrësit për të hetuar rrethanat e humbjes së jetës së muxhahedinit. Paraprakisht dyshohet se ia ndërroi jetë nga infarkti.

Ndërkhë, mësohet se nga kontrollet në kamp janë gjetur edhe servera, nga të cilët dyshohet se janë kryer sulme kibernetike. Nuk ka ende të dhëna nëse sulmet kanë qenë brenda vendit apo kanë shënjestruar vende të tjera.

Në një reagim të mëvonshëm Ministria e Brendshme tha se muxhahedinët kishin shkelur marrëveshjen pasi ata janë këtu vetëm për strehim dhe qëllime humanitare dhe jo për të kryer veprimtari të tjera.

Pritet që në orët në vijim të jepet një informacion i detajuar nga Policia e Shtetit në lidhje me dyshimet e forcave të rendit dhe ecurinë e këtij operacioni. /albeu.com


Shtuar 20.06.2023 15:48