Përplasi 60-vjeçarin me karrocë dhe u largua, kapet drejtuesi, 20-vjeçari s’kishte patentë

Autori i aksidentit të mbrëmshën të ndodhur në Maliq, është identifikuar dhe më pas shoqëruar në komisariat.

Policia njofton se 20-vjeçari, drejtuesi i automjetit tip “Audi” përplasi një 60-vjeçar i cili po lëvizte me karrocë, dhe më pas u largua nga vendngjarja.

Nga verifikimet rezultoi se ky shtetas drejtonte automjetin pa leje drejtimi.

Në vijim të informacionit paraprak të dhënë mbrëmjen e djeshme, i cili bën fjalë për një aksident të ndodhur pranë urës së fshatit Zvezdë, Maliq, ju informojmë se:

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Maliq bënë të mundur identifikimin dhe kapjen e drejtuesit të automjetit tip “Audi”, i cili u largua nga vendi i aksidentit, konkretisht shtetasit K. F., 20-vjeç, banues në fshatin Pojan, Maliq.

Nga verifikimet e kryera rezultoi se ky shtetas duke drejtuar automjetin pa leje drejtimi, ka përplasur një karrocë me drejtues shtetasin F. D., i cili ndodhet nën kujdesin e mjekëve.

Aktualisht 20-vjeçari, ndodhet i shoqëruar në ambientet e Komisariatit për veprime të mëtejshme procedurale.