Përmbyset autobusi në Belgjikë, 1 i vdekur dhe 16 të plagosur

Shoferi i një minibusi, i cili po kthente  një grup besimtarësh hebre në Londër, ka vdekur dhe 16 të tjerë janë plagosur pasi automjeti u përmbys në Belgjikë.

Një 15-vjeçar ndodhet në gjendje kritike dhe po lufton për jetën. Shoferi humbi kontrollin e minibusit duke goditur një makinë tjetër në qytetin verior të Antwerp rreth orës 3:30 të mëngjesit.

Shoferi dyshohet se nuk ndaloi pasi goditi një BMW dhe vazhdoi udhëtimin e tij me shpejtësi përpara se të humbiste kontrollin e drejtimit ndërsa përpiqej të kthehej në unazë, sipas raporteve të mediave lokale, shkruan Daily Mail. 

Më pas minibusi goditi një shtyllë të tramvajit. Policia thotë se 16 pasagjerë të tjerë u plagosën në aksident.

Djali 15-vjeçar, i cili ndodhet në rrezik për jetën, aktualisht po trajtohet në spitalin Sint Vincentius në Antwerp.

Lëndimet e marra nga pjesa tjetër në bord u përshkruan si të lehta, dhe shumica tashmë kishin dalë nga spitali.

Shoferi i BMW-së i përfshirë në përplasjen u dërgua gjithashtu në spital.

Besimtarët hebre udhëtojnë pothuajse çdo javë me autobus që të marrin pjesë në lutjet e së shtunës në sinagogën në Mercatorstraat.

Më pas, vizitorët zakonisht qëndrojnë me familjen ose miqtë në qytet përpara se të kthehen në Mbretërinë e Bashkuar./AlbEu.com/

 


Shtuar 20.03.2023 12:28