Përkeqësohet situata në aksin Librazhd–Prrenjas, ndalohet lëvizja e ambulancave dhe mjeteve zjarrfikëse

Situata në segmentin rrugor “Arrat e Gurrës” është përkeqësuar ndjeshëm orët e fundit, si pasojë e rrëshqitjes së tokës dhe fundosjes së urës.

Për shkak të gjendjes së rënduar, pas bllokimit të lëvizjes së automjeteve është ndaluar plotësisht edhe qarkullimi i këmbësorëve, si dhe kalimi i mjeteve të emergjencës, përfshirë zjarrfikëset, policinë dhe ambulancat, në segmentin e dëmtuar.

Mjetet e shërbimeve emergjente do të devijohen përmes rrugës alternative që kalon nga fshatrat Spathar dhe Dardhë, ndërsa autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të shmangin çdo tentativë për të kaluar në zonën e rrezikut.

Ndërkohë, situata mbetet kritike, pasi rreziku i shembjes së plotë të strukturës ka detyruar autoritetet të izolojnë totalisht zonën, duke e kthyer një nga akset më të rëndësishme të vendit në një pikë kritike.