Aida Hajnaj, nuk do t’i nënshtrohet procedurës së riemërimit, pavarësisht shfaqjes së interesit për një mandat të dytë në krye të Byrosë Kombëtare të Hetimit.
Drejtuesja aktuale e BKH-së, nuk ka dorëzuar dokumentacionin e kërkuar brenda afatit të caktuar nga Komisioni i Përzgjedhjes deri më 7 maj dhe për pasojë, është përjashtuar nga e drejta për rikandidim. Këtë e ka konfirmuar edhe vetë SPAK, përmes një përgjigje të shkurtër për mediat.
“Znj. Hajnaj nuk do t’i nënshtrohet procedurës së riemërimit, pavarësisht shfaqjes së interesit për një mandat të dytë, pasi Znj. Hajnaj nuk dorëzoi dokumentacionin e kërkuar brenda afatit të caktuar nga Komisioni i Përzgjedhjes (7 maj). Mosdorëzimi i dokumentacionit mbyll procedurën e mëtejshme te riemërimit”, thuhet në përgjigjen e SPAK.
Kujtojmë se ishte vetë Aida Hajnaj, e cila kishte shprehur që më 28 mars interesin për një tjetër mandat 5-vjeçar, pasi më 31 gusht mandati i drejtores aktuale të Byrosë Kombëtare të Hetimit përfundon.
Në Prokurorinë e Posaçme, ishte hapur procesi i riemërimit të saj në krye të BKH-së, por duket se ka ndryshuar mendje, duke u tërhequr nga riemërimi.
Pritet që SPAK shumë shpejt të rihapë garën për kandidaturat e tjera të cilët do t’i nënshtrohen disa procedurave.
Procesi i emërimit të drejtorit të ri do të kryehet duke kaluar në 7 faza, testi i arsyetimit logjik, kontrolli mjekësor, testi fizik, ese me shkrim, intervistë dhe më pas bëhet verifikimi i figurës, deklarimi i aseteve dhe testi i poligrafit.