Përjashtimi Berishës, Tabaku: Një vendim i vështirë dhe i imponuar, Basha e bëri për forcimin e partisë

Nënkryetarja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, është shprehur se vendimi i Bashës për përjashtimin e Berishës nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike, ka qenë një vendim i vështirë dhe i imponuar.

Sipas Tabakut, ky vendim bëhet vetëm për të forcuar PD-në.

Tabaku ka komentuar në Neës 24 përjashtimin e ish kryeministrit Sali Berisha nga grupi parlamentar i PD disa ditë më parë nga ana e kreut të PD, Lulzim Basha.

Sipas Tabakut, ky vendim u mor nga ana e Bashës për të mos krijuar konflikte të deputetëve me militantët.

“Nuk kishte mënyrë të lehtë se si të merrej një vendim i tillë i vështirë. Një vendim që në fakt ka qenë i imponuar, një fakt i kryer, një vendim i cili nuk ishte marrë as nga z.Basha dhe as nga PD. Ishte një vendim i cili erdhi nga një aleat, një partner, një vendim i cili ka qenë… kushdo që e kujton edhe karrierën e z.Basha, por edhe vendimet e tij në PD, besoj ka memorie të dijë se z.Basha nuk ka marrë asnjëherë një vendim kundër Sali Berishës.

Ky vendim ishte një fakt i kryer. Ky vendim ishte i detyruar, i imponuar, ishte për të ardhmen e PD dhe ajo që është më e rëndësishmja, për të mos cënuar marrëdhënien e PD me aleatin tonë me SHBA-në dhe ç’ishte më e rëndësishme, për të qenë edhe në krah të z.Berisha në procesin që ai po ndjek për të kthyer dinjitetin e tij.

Basha mori një vendim të tillë për të mos krijuar konflikte të deputetëve me militantët, për të mbajtur ai përgjegjësinë dhe peshën e këtij vendimi. Për aq sa e njoh unë z. Berisha ai gjithmonë ka pasur në çdo vendim dhe veprim të tij interes primar çështjen e shqiptarëve, të Kombit shqiptar dhe se si të përmirësohet puna në PD.

Jam e sigurt që çdo inisiativë që ai do të marrë dhe pavarësisht mendimeve të kundërta që mund të ndajmë, do të jetë në këtë kuadër, për të forcuar PD, për ta çuar atë në fitore. E keqja e Shqipërisë sot është Edi Rama. Me z. Berisha na bashkon lufta kundër Edi Ramës, asgjë tjetër, asgjë nuk na ndal në ktë drejtim”, thotë Tabaku./albeu.com


Shtuar 15.09.2021 16:37