Përhapnin terror në rrugët e Italisë dhe furnizonin me kokainë grupet e tjera të trafikut të drogës, goditet banda italo-shqiptare! 20 persona në pranga

20 persona kanë rënë në prangat e Policisë Italiane, për trafikim të lëndëve narkotike.

Banda italo-shqiptare furnizonte me drogë grupet e tjera kriminale të trafikut.

Pas përfundimit të dy viteve hetime mbi këtë bandë, efektivët e policisë italiane vendosën në pranga 20 shqiptarë dhe italianë, ku 15 kanë përfunduar në burg dhe 5 të tjerë në arrest shtëpie.

Ata akuzohen për krijim të grupit të strukturuar kriminal me qëllim trafikimin dhe tregtimin e drogës, armëmbajtje pa leje. Baza e tyre ishte zona e Bergamos dhe banda italo-shqiptare furnizonte grupet e tjera kryesisht me kokainë dhe heroinë. Ata përdorin metodat nga më të ndryshme të botës së mafias duke shkuar deri në goditjen me armë. Në luftën e tyre për territore banda italo-shqiptare kishte zaptuar sheshet e Italisë së Veriut me metoda mafioze dhe të dhunshme.

Banda italo-shqiptare kishte marrë nam për sjelljen e saj të dhunshme ndërsa kishte mundur të furnizonte kryesisht me heroinë dhe kokainë grupet të tjera kriminale, shumë aktive në Italinë qendrore dhe veriore.

Gjatë hetimeve, policia kreu 20 arrestime dhe sekuestroi 1.4 kilogramë kokainë, 14 heroinë, 100 lëndë prerëse, 17 500 euro të gatshme dhe dy armë zjarri. Gjithashtu, u kryen kontrolle të shumta, gjatë të cilave u sekuestruan rreth 74 mijë euro cash, shkruan Corriere della Sera

Operacionet e policisë u zhvilluan në  Bergamo, Brescia, Bolzano, Novara dhe Rimini. Operacioni, i koordinuar nga Anti-Mafia e Brescias kishte nisur goditjen që në shtator të vitit 2019 kur policia kishte gjurmuar aktivitetin e disa shqiptarëve në Bergamo. Ata zbuluan organizatën kriminale shqiptare dhe italiane që vepronte në zonën e Breshias dhe në Bergamo si dhe në disa zona të Milanos.