Përgjimet e SPAK që ҫuan në arrestimin e avokatit Arben Lena, historia e “dy zarfeve”, për ҫfarë bëhet fjalë

Albeu.com, mëson se arrestimi me urdhër të SPAK të kreut të Dhomës së Avokatisë së Korçës, Arben Lena, i cili ka ndodhur në kuadër të një operacioni të gjerë për korrupsion në Gjykatën e Korçës, pas arrestimit të dy personave për trafik klandestinësh.

Njëri prej tyre akuzohej për trafikimin e tyre, ndërsa tjetri për “moskallëzim krimi”.

Sipas informacioneve, ish-asistentja e Lenës ishte nën përgjim nga SPAK, ajo e ka telefonuar atë duke e pyetur në lidhje me dy zarfe që ndodheshin në zyrë.

Gjatë komunikimit, asistentja është udhëzuar që njërin nga zarfet ta mbajë në zyrë dhe tjetrin, t’ia dorëzoje familjarëve të një të arrestuari, për të cilin Apeli kishte konfirmuar masën e sigurisë “arrest me burg”. SPAK pretendon se ky zarf do të përdorej për të korruptuar një gjyqtar Apeli.

 Po pse duhej mbajtur zarfi tjetër në zyrë?

Ndërkohë që ishtë nën përgjim, asistentja e Lenës kishte përfaqësuar zyrën e Avokatisë në një seancë gjyqësore, ku do të jepej masa e sigurisë për dy persona të arrestuar.

Pas seancës, njëri prej tyre pati një masë sigurie më të lehtësuar, kurse tjetri mbeti në burg.

Prokuroria ka dyshime se diskutimi për zarfet, lidhet pikërisht me këtë seancë gjyqësore dhe masën e sigurisë.

Nga të dhënat paraprake, dyshohet pikërisht se zarfi me 5 mijë euro është mbajtur pas lehtësimit të masës së sigurisë, për të arrestuarin e parë dhe tjetri iu dorëzua familjarëve, pasi i arrestuari i dytë mbeti në qeli.

Në dhjetor 2023, SPAK urdhëroi arrestimin e pesë personave për veprat penale “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, dhe “Moskallëzimi i Krimit”, parashikuar nga nenet 245/1, pika 2 dhe 4 e 300 të Kodit Penal.

Mes të arrestuarve është edhe ish-asistentja e Lenës.  

Ngjarja ka tronditur Gjykatën e Korçës, ndërsa hetimet vijojnë edhe pas arrestimit të Arben Lenës.  

Njoftimi i SPAK në dhjetor 2023

Nga hetimet e kryera deri në këtë fazë të hetimit është krijuar dyshimi i arsyeshëm se shtetasit D. K., N. H., N. J., B. K. dhe A. K., në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë konsumuar elementët e veprave penale të “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” në formën e kërkimit të përfitimit të parregullt të një shume prej 5000 (pesë mijë) eurosh me qëllim ushtrimin e ndikimit në Gjykatën e Apelit Korçë për zbutjen e masës së sigurimit të shtetasit B. K., i cili hetohej per veprën penale te parashikuar nga neni 298 i K. Penal. Shtetasi D.T., dyshohet se ka kryer veprën penale të “Moskallëzimi i krimit”, parashikuar nga neni 300 i K. Penal./Albeu.com.


Shtuar 27.01.2024 14:14