Përfundon referendumi në Serbi, vjen reagimi i parë nga Presidenca e Kosovës

Shefi i kabinetit të Presidentes Vjosa Osmani, Blerim Vela, ka reaguar pas përfundimit të referendumit të Serbisë. Ai është shprehur se përkundër kërcënimeve nga Serbia, në Kosovë ishte një ditë e qetë.  Vela shton se Kosova mbajti qëndrim parimor dhe kështu, kontribuoi në stabilitetin rajonal.

“Përkundër kërcënimeve nga Serbia, ishte një ditë e qetë në Kosovë. Strukturat ilegale të Serbisë nuk arritën ta mbajnë referendumin. Kosova mbajti një qëndrim parimor që ruan paqen dhe stabilitetin rajonal duke ruajtur sovranitetin dhe integritetin e saj territorial”, shkroi ai.

Kujtojmë se gjatë ditës së sotme, Serbia ka mbajtur referendumin për ndryshimet kushtetuese. Plani parësor ishte që ky referendum të mbahej edhe në territorin e Republikës së Kosovës.

Megjithatë, krerët e institucioneve dolën me deklaratë të përbashkët kundër lejimit të mbajtjes së vendvotimeve në Kosovë, ndërsa serbëve me nënshtetësi të dyfishtë do u lejohej votimi vetëm me psotë ose përmes Zyrës Ndërlidhëse në Prishtinë.

Kuvendi i Kosovës me anë të një rezolute mbajtjen e këtij referendumi arriti që ta ndalojë edhe në territorin e vendit.

Shtuar 16.01.2022 21:57