Për më shumë se 8 orë, ministrat, drejtorët e institucioneve të varësisë dhe kupola drejtuese e Partisë Socialiste në Parlament kanë raportuar para kryeministrit Edi Rama në rezidencën qeveritare në Dajt.
Fokusi kryesor ka qenë angazhimi dhe sfida e mazhorancës qeverisëse për zgjedhjet parlamentare të 2025. Të majtëve u është prezantuar një strategji komunikimi në raport me institucionet dhe me publikun përgjatë këtij viti elektoral.
Përpos politikës së jashtme, një zë të rëndësishëm në këtë “retreat” ka zënë edhe integrimi, si për negociatat për integrimin për të nisur hapjen e kapitujve të parë në vjeshtë, por edhe për vijimin e reformave të brendshme me kusht që të përfitojmë paratë nga Brukseli.
Të gjithë ministrat, pas prezantimit të tyre, janë njohur dhe me objektivat që duhet të realizojnë deri ditën e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare.