Përfundojnë 5 tunelet tek ish-sheshi Shqiponja, Rama publikon pamjet: Është lehtësuar trafiku

Kryeministri Edi Rama ka njoftuar se punimet për 5 tunelet në nyjën kryesore të nënkalimit te zona e Astirit dhe ish-sheshit Shqiponja kanë përfunduar.

Në një video të publikuar në Facebook Rama u shpreh se përmes këtyre punimeve është lehtësuar ndjeshëm trafiku në hyrje dhe në dalje të kryeqytetit.

“Me këtë video nga Unaza e Madhe e Tiranës, ku tanimë kanë përfunduar 5 tunelet në nyjën kryesore të ish-sheshit Shqiponja dhe nënkalimit te Zona e Astirit, falë të cilave trafiku është lehtësuar ndjeshëm si në hyrje dhe në dalje të Tiranës, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan Rama.

Lëvizja pas përfundimit të tuneleve.

Lëvizja e automjeteve nga autostrada (Durrës-Tiranë) në drejtim të rrugës “Dritan Hoxha” (Laprakë) dhe anasjelltas realizohen drejt në nivelin 0 të parashikuar në projekt.

– Lëvizja e automjeteve që vijnë nga autostrada (Durrës-Tiranë) në drejtim të Unazës së Madhe realizohen nëpërmjet Galerisë Nr. 5.

– Dalja nga Tirana për mjetet që vijnë nga Unaza e Madhe drejt autostradës realizohen nëpërmjet Galerisë Nr.3

– Dalja nga Tirana për mjetet që vijnë nga pjesa veriore (ish-kombinati, rruga “Josif Pashko”) drejt autostradës realizohen nëpërmjet Galerisë Nr. 4./albeu.com