Gjatë mesnatës rreth orës 02:45 të mëngjesit, në qytetin e Ri Bulqizë, është djegur makina e gazetarit Sami Curri. Zjarrvënia dyshohet të jetë e qëllimshme për shkak të detyrës.
Makina ka qenë e parkuar në afërsi të pallatit ku banonte gazetari.
Të lidhura
None found
Në vendngjarje kanë mbërritur zjarrfikëset, por nuk kanë mundur ta fikin. Policia po bën veprimet hetimore rreth ngjarjes për zbardhjen e saj.
Sipas gazetarit, ky veprim bëhet për “t’i mbyllur gojën”.
“Kjo gjëja është e qëllimshme dhe me synimin për të përcjellë një mesazh tek unë dhe tek puna që unë bëj.
Së pari them se ata që e kanë bërë atë veprim absolutisht as nuk do më kërcënojnë dot, as do më frikësojnë dot për punën që unë bëj, sepse për mua gazetaria është një mision që unë e bëj dhe që do vazhdojë me çdo çmim.
Një nga çmimet kjo ishte. Me thënë të drejtën, jam javë që jam në kontakt me njerëz që preken me çështje që unë bëj në punën e përditshme.
Kam afro 10 vjet që jam gazetar. Puna ime ka qenë e fokusuar në terren në qarkun e Dibrës, në mbulimin e çështjeve kryesisht që kanë të bëjnë me problemet publike, monitorimin e pushtetit vendor dhe atë të drejtësisë.
Për mua është absolutisht e qëllimshme, për të përcjellë mesazhin që kjo ishte e para dhe me raste mund të vazhdojë më tej. A intimidohem? A më kërcënon dot kjo gjë? Absolutisht jo. Për mua gazetaria është interes publik”, tha ai.
