Pyjet e Oroshit në Mirditë janë përfshirë nga një zjarr, i cili po përhapet me shpejtësi falë erës së fortë dhe temperaturave të larta.
Ende nuk dihen shkaqet e kësaj vatre të shfaqur mesditën e 1 qershorit në Orosh.
Paraprakisht mësohet se sipërfaqja e kësaj vatre zjarri është 4 hektarë, ndërsa drejt saj janë nisur punonjës të shërbimit pyjor e zjarrfikës nga Mirdita.
Oroshi ndodhet në afërsi të kufirit administrativ me Kukësin dhe siç ka ndodhur vitet e tjera, në rast të mos kufizimit të kësaj vatre përhapja e zjarrit mund të përfshijë edhe pyjet në zonën e Arrnit dhe atë të Malziut pranë tunelit te Kalimashit.
Vera e kaluar mbahet mend për zjarret masive që përfshinë pyjet në këtë zone deri në thellësi të territorit të Kukësit përgjatë vargmaleve qe ndodhen mbi tunelin e Kalimashit.
Qindra hektarë me pyje u përfshinë nga zjarret e për shuarjen e tyre u deshën dite të tera me forca të shumta zjarrfikëse, forcat e ushtrisë vullnetare, por edhe shërbime zjarrfikëse e forca të armatosura të ardhura nga Kosova./albeu.com