Përfaqësuesit e Izraelit ikin nga Katari, nuk ka negociata, rifillon gjakderdhja

Oficerët e inteligjencës izraelite janë urdhëruar të ikin nga Katari pasi negociatat për armëpushimin arritën në një “ngërç”, tha Mossad këtë të shtunë për mediat.

Në një deklaratë të mbajtur nga zyra e kryeministrit izraelit, Mossad thotë se shefi i saj David Barnea “urdhëroi ekipin e tij në Doha që të kthehej në Izrael”, pasi u udhëzua për ta bërë këtë nga Benjamin Netanyahu.

“Organizata terroriste Hamas nuk përmbushi pjesën e saj të marrëveshjes, e cila përfshinte lirimin e të gjithë fëmijëve dhe grave sipas një liste që i ishte ofruar Hamasit dhe miratuar prej tij”, shton ai.

Katari ka ndërmjetësuar negociatat midis Hamasit dhe Izraelit që nga shpërthimi i luftës, duke luajtur një rol kyç në organizimin dhe zgjatjen e armëpushimit të përkohshëm njëjavor të fundit dhe lirimin e pengjeve.

Armëpushimi mbaroi dje në mëngjes me orën lokale duke çuar në rinisjen e bombardimeve izraelite në zona të ndryshme të Gazës.

Kjo ka sjellë qindra të vrarë vetëm prej pak orësh, ndërkohë që është rritur frika për një katastrofë humanitare.


Shtuar 2.12.2023 21:20