Perëndimi i frikësohet përshkallëzimit të luftës: Rusia mund të përdorë armë kimike

Zyra e OKB-së për të drejtat e njeriut thotë se ka verifikuar 1,424 viktima civile që nga fillimi i pushtimit të Ukrainës dy javë më parë. 516 persona janë vrarë dhe 908 janë plagosur, por zyra e OKB-së për të drejtat e njeriut thotë se beson se shifrat reale janë “dukshëm më të larta”.

Ndërkohë, zyrtarët perëndimorë thonë se janë “shumë të shqetësuar” për rrezikun e përshkallëzimit të luftës midis Rusisë dhe Ukrainës.

Ata janë veçanërisht të shqetësuar për mundësinë e përdorimit të armëve jo-konvencionale nga Rusia, që ka shumë të ngjarë t’i referohet armëve kimike, megjithëse termi mbulon gjithashtu armët taktike (të shkallës së vogël) bërthamore, armët biologjike dhe bombat e pista.

“Ne kemi arsye të mira për t’u shqetësuar,” tha një zyrtar perëndimor.

Ata thanë se kjo ishte pjesërisht për shkak të asaj që ishte parë në vende të tjera ku Rusia ka qenë e përfshirë në konflikt, veçanërisht në Siri, ku armët kimike u përdorën nga aleatët e saj./albeu.com


Shtuar 9.03.2022 20:36