Një ish-punonjëse e “Iute Credit”, e cila mashtronte duke përfituar shuma të caktuara në emër të ish-klientëve, të cilët i regjistronte sikur kishin marrë kredi, është akuzuar për veprën penale të “Mashtrimit në kredi” dhe “Falsifikimit të dokumentave” në 18 raste.
Prokuroria e Fierit ka përfunduar hetimet për Paula Buzin, e cila u kallëzua nga disa ish-klientë se në emër të tyre, janë përfituar kredi pranë shoqërisë “Iute Credit Albania Sh.A” Dega Fier, për të cilat ata nuk kanë aplikuar dhe nuk i kanë përfituar personalisht.
Në përfundim të hetimeve është provuar se e pandehura, Paula Buzi, në cilësinë e punonjëses së dhënies së kredive pranë ‘Filialit Iute Credit’ Dega Fier, ka falsifikuar dokumentat e dhënies së kredive në emër të klientëve të mëparshëm të këtij filiali me qëllim përvetësimin për llogari të saj të shumave të kredive.
Në përfundim, ka rezultuar se praktikat e marrjes së kredive nuk janë nënshkruar nga personat, në emër të të cilëve rezultojnë të nënshkruara, por janë fallsifikuar nga e pandehura Paula Buzi duke përfituar dhe shumat përkatëse.
‘”Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier ka përfunduar hetimin penal dhe ka dërguar për gjykim në Gjykatën e Shkallës së Parë Fier procedimin penal nr.1247 të vitit 2019 në ngarkim të së pandehurës Paula Buzi (Dimo), e akuzuar për kryerjen e veprave penale te “Mashtrimit në kredi” parashikuar nga neni 146 i K.Penal, e kryer 18 herë dhe “Falsifikimit të dokumentave” të parashikuar nga neni 186/3 i K.Penal, e kryer 18 herë në dëm të viktimës Shoqëria Iute Credit Albania.
Ky procedim penal është regjistruar mbi bazën e kallëzimit penal të shoqërisë “Iute Credit Albania Sh.A”, Tiranë në lidhje me disa raste të mashtrimeve në kredi nga ish-punonjësja e degës Fier, Paula Buzi. Në vijim janë regjistruar dhe disa kallëzime penale të disa qyteterave, ish klient të kësaj dege, që kanë kallëzuar se në emër të tyre janë përfituar kredi pranë shoqërisë “Iute Credit Albania Sh.A” Dega Fier, për të cilat ata nuk kanë aplikuar dhe nuk i kanë përfituar personalisht.
Pasi të gjitha këto kallëzime penale janë bashkuar në një procedim të vetëm penal dhe janë hetuar nga Seksioni i Posaçëm pranë Prokurorisë Fier, në përfundim të hetimit është provuar se, e pandehura në cilësinë e punonjëses së dhënies së kredive pranë Filialit Iute Credit Dega Fier, ka falsifikuar dokumentat e dhënies së kredive në emër të klientëve të mëparshëm të këtij filiali me qëllim përvetësimin për llogari të saj të shumave të kredive.
Gjatë hetimit të hetimit të këtij procedimi penal, Prokuroria e Fierit në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Fier dhe Institutin e Policisë Shkencore Tiranë kanë kryer mbi 35 (tridhjetë e pesë) akte ekspertimi grafik shkrimi dhe nënshkrimi lidhur me verifikimin e të gjitha rasteve të kallëzuara. Në përfundim, ka rezultuar se praktikat e marrjes së kredive nuk janë nënshkruar nga personat, në emër të të cilëve rezultojnë të nënshkruara, por janë fallsifikuar nga e pandehura Paula Buzi duke përfituar dhe shumat përkatëse.
Nëpërmjet publikimit të këtij rasti kriminal, organi i prokurorisë sensibilizon të gjithë qytetarët që të denoncojnë në polici dhe prokurori çdo rast abuzimi lidhur me përvetësimin e kredive në emër të tyre nga persona të tjerë dhe të mos bien preh e skemave mashtruese në marrjen e kredive.’- njofton prokuroria.