Për vetëm 1 minut, momenti kur i vendoset tritol servisit në Tiranë (VIDEO)

Kanë dalë pamjet e momentit të vendosjes së një sasie lënde plasëse një servisi në Tiranë.

Në pamje duken dy persona ende të paidentifikuar, të veshur sportiv me të zeza dhe me maskë anti-covid, që afrohen me biçikletë pranë servisit të makinave në zonën e Liqenit të Thatë në Tiranë dhe vendosin lëndën plasëse.

Vetëm 40 sekonda pasi mbërrijnë, njëri prej tyre afrohet në biznesin në pronësi të Ronaldo Petit dhe i vendos tritolin. Dy autorët largohen me shpejtësi prej andej, ndërsa lënda plasëse shpërthen pas disa sekondash. E gjithë skema ka ndodhur në 1 minutë.

Ngjarja ndodhi rreth orës 04:35 minuta. Fatmirësisht, nga ngjarja nuk pati të dëmtuar në njerëz, por vetëm dëme material.

Për shkak të sasisë së vogël të tritolit të vendosur në servis, policia dyshon se është një formë kërcënimi për pronarin e biznesit.

Ronaldo Peti u mor në pyetje nga grupi hetimor. Ai u tha oficerëve të komisariatit numër 1 se lënda plasëse i është vendosur nga konkurrenca dhe se nuk ka konflikte me ndonjë person.

Policia dyshon se tritoli i është vendosur për shkak të disa konflikteve që Peti ka pasur kohët e fundit me disa nga banorët e zonës, ndërkohë që ende po punohet për zbardhjen e plotë të ngjarjes./albeu.com/