Për herë të parë nga nisja e luftës, Ukraina pajiset me raketa anti-anije

Ukraina do të pajiset me raketa anti-anije për të liruar bllokadën ruse në portet e vendit.

Armët e prodhuara do të vijnë nga Danimarka dhe janë të prodhuara në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Këto armë shkojnë në Ukrainë për herë të parë që nga fillimi i luftës.

Armët mund të përdoren për të larguar marinën ruse nga portet e Detit të Zi, duke lejuar rifillimin e eksporteve të grurit dhe produkteve bujqësore.

Ukraina ka kërkuar armë më të avancuara si mbrojtje ajrore, raketa kundër anijeve dhe raketa me rreze të gjatë veprimi, por deri më tani pjesa më e madhe e ndihmës ka qenë në sistemet me rreze të shkurtër veprimi si armët antitank Javelin dhe artileria.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes Lloyd Austin tha se ai ishte mirënjohës ndaj Danimarkës për furnizimin e armëve “për të ndihmuar Ukrainën të mbrojë bregdetin e saj”.

Edhe vende të tjera janë të gatshme të dërgojnë Harpoon në Ukrainë, sipas zyrtarëve amerikanë dhe burimeve nga Kongresi, raporton BBC. Por, asnjë prej tyre nuk po “guxonte” që të bëhej i pari që të dërgonte në Ukrainë Harpoon, nga frika e hakmarrjeve nga Rusia nëse një anije mbytet me një raketë nga vendi i tyre.