“Për 10 mijë euro borxh, biznesmenit në Tiranë i kanë marrë 800 mijë euro prona dhe i mbajnë peng djalin”, çfarë po ndodh me “fajdet”

Gjatë një shfaqje televizive në nëntor në televizionin informativ ‘ABC News’, gazetari veteran i kronikës së zezë, Artan Hoxha dha alarmin se grupet kriminale po bënin kërdinë, duke i përfshirë viktimat e tyre në skemat e dhënies së parasë me fajde në përqindje astronomike.

“Fëmija i një biznesmeni ka marrë 10 mijë euro dhe atij i kanë marrë 800 mijë euro dhe fëmijën nuk e di ku e ka,” tha Hoxha, ndërsa nënvizoi se sipërmarrësit po i marrin lokale, prona dhe vila.

Hoxha shpjegoi së në këtë skemë është përfshirë një grup i strukturuar kriminal, anëtarët e së cilit kanë qënë aktivë në Tiranë që prej viti 1997.

“Janë njerëz të skeduar nga policia,” tha ai, ndërsa shtoi se “ata korruptojnë brenda policisë dhe prandaj situata është e tillë.

Edhe pse aktivitetet financiare të palicensuara ndalohen nga Kodi Penal, të dhënat, dokumentet dhe dëshmitë e siguruara nga BIRN tregojnë se fenomeni i parave me fajde është i gjithëpërhapur në Shqipëri.

Përveç krimit të organizuar, në këtë biznes të paligjshëm që shpesh mbështetet nga një rrjet i besuar noterësh ‘VIP’, sipas ekspertëve janë të përfshirë edhe politikanë të korruptuar.

“Në çdo qytet të Shqipërisë mund të gjesh dy-tre [fajdexhi] si në mesjetë, të cilët të ofrojnë në çast, ndoshta edhe pa asnjë letër, shuma të mëdha dhe besimin e bazojnë te gryka e revolverit,” shpjegon  drejtori i Qendrës Shqiptare për Kërkime Ekonomike.

Sipas raportit vjetor mbi gjendjen e kriminalitet në vend që Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela lexoi në Kuvendin e Shqipërisë të enjten, gjatë vitit 2021 u regjistruan 14 procedime për veprën penale të ushtrimit pa licencë të veprimtarive financiare, e cila përfshin dhe dhënien e parave me fajde.

Ekspertët theksojnë se fenomeni i dhënies së parave me fajde shkon pas dekada në Shqipëri dhe është sofistikuar me kalimin e kohës.