Skema e rimbursimit të dritave dhe njëherazi përjashtimi nga tarifat vendore, u jep mundësi pensionistëve që të marrin deri në 16 për qind shtesë mbi masën e pensionit. Konkretisht, vlera e rimbursimit të energjisë shkon deri në 1600 lekë në muaj dhe në raport me pensionin mesatar që është rreth 16 mijë lekë, “shtesa” që përfitohet nga kompensimi i dritave është relativisht e lartë, rreth 10 për qind.
Por përveç kësaj, pensionistët janë të përjashtuar nga taksa e banesës, taksa e përkohshme për Infrastrukturën Arsimore dhe pagesa e Tarifës së Pastrimit dhe Largimit të Mbeturinave, të cilat të gjitha bashkë kanë një vlerë rreth 900 lekë në muaj.
Në këto kushte, masa e përfitimit shkon deri në 2500 lekë në muaj, ose 16 për qind shtesë mbi pensionin. Premtimi i fundit nga qeveria është ulja e çmimi të energjisë elektrike për pensionistët, një tjetër përfitim për këtë kategori, për të cilën nuk mësohet ende mekanizmi se si do të realizohet dhe koha e implementimit.
“Ne kemi marrë një porosi dhe prej kohësh punojmë me OSHEEnë, me KESH-in edhe me OST-në për të vlerësuar një ulje të energjisë elektrike, duke nisur nga 1 janari i vitit 2025. Jemi në punë e sipër, në analizë e sipër, por jemi të sigurt që do t’ia dalim, që duke optimizuar proceset teknike dhe financiare të kompanive tona, ne të kemi mundësi që nga 1 janari t’iu ofrojmë qytetarëve shqiptarë një çmim më të mirë për energjinë elektrike”.
Aktualisht, çmimi i energjisë është 9.5 lekë për kilovat pa TVSH, ndërsa me TVSH arrin në 11.4 lekë për familjet, ndërsa për pensionistët që prej vitit 2015 marrin kompensimin shtesë në pensionin e tyre për energjinë elektrike të shumës 648 lekë. Vendimi për këtë ulje të çmimit të energjisë, vjen afro 2 vite pasi qeveria paralajmëronte rritje të çmimit të energjisë, për ata që konsumonin mbi 800 kilovat në muaj për shkak të krizës së energjisë.
KOMPENSIMET
Përveç 648 lekëve në muaj që pensionistët marrin prej reformimit të skemës në 2015-n kur u hoq edhe fasha, pensionistët marrin edhe disa kompensime të tjera në vlerë më të ulët, të lidhura ndër vite.
Kështu, pensionistët marrin 150 lekë në muaj kompensim për diferencën e çmimit të bukës, 350 lekë në muaj si kompensim për energjinë elektrike dhe 414 lekë në muaj për çdo pjesëtar të familjes, që është në varësi ekonomike të pensionistit. Pra, është rreth 1600 lekë shuma që përfitohet shtesë e që ndikon në masën e pensionit në kushtet kur nuk ka politika të mirëfillta rritje, por vetëm indeksim bazuar në normën e inflacionit. Për të përfituar duhet të përmbushen vetëm dy kushte. Kjo vlen për të gjithë ata që dalin rishtazi në pension.
Së pari, duhet që pensionisti të mos ketë të ardhura të tjera veç pensionit. Kushti tjetër është që fatura e dritave dhe shtëpisë për të cilën do paguhet taksa, të jenë në emër të pensionistit. Në rastin kur janë dy pensionistë, pra burrë e grua, kompensimin e përfiton vetëm njëri prej tyre. Në tabelë janë të listuara edhe dokumentet që duhet të dorëzohen në sportelet e Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve.
TAKSA
Janë mbi 140 mijë pensionistë në të gjithë vendin të cilët përveçse janë në skemën e rimbursimit të dritave, nuk preken as nga taksa e banesës, taksa e përkohshme për Infrastrukturën Arsimore dhe pagesa e Tarifës së Pastrimit dhe Largimit të Mbeturinave, të cilat kanë një vlerë rreth 900 lekë në muaj.
Vëmë në dukje që taksa që aplikohet për banesën nuk është e njëjtë për të gjithë. Nisur nga tabela zyrtare me çmimet për çdo zonë kadastrale, për sipërfaqen 100 metër katrorë taksa e re që rëndon në xhepat e konsumatorëve varion nga 3000 lekë deri në 9500 lekë në vit.
Pensionistët kryefamiljarë, të cilët nuk kanë të ardhura të tjera veç pensionit, janë të përjashtuar nga ky detyrim. Përfitimet do të jenë më të larta një vit më vonë kur taksa e banesës, e cila do të nisë të aplikohet prej 2026 pritet të rrisë detyrimin për qytetarët dhe për bizneset. Llogaritja e saj do të bëhet bazuar në çmimet që janë sot në treg, ndërsa niveli i taksimit nga 0.05 për qind, që është aktualisht do të variojë në 0.1 deri në 0.3 për qind.
Përpos taksës së banesës, pensionistët po ashtu mund të shmangin edhe dy taksa të tjera që janë në shuma fikse mujore dhe ngarkohen në faturën e ujit (UKT në këtë rast shërbe si agjent tatimor): “Taksën e Përkohshme për Infrastrukturën Arsimore” e cila është 150 lekë në muaj dhe “Tarifën e Pastrimit dhe Largimit të mbeturinave”, 417 lekë në muaj.
Me një llogaritje të thjeshtë, vetëm nga përjashtimet e taksave bashkiake, një pensionist kryefamiljar mund të shmangë nga fatura mujore rreth 900 lekë detyrime. Edhe në këtë rast, për të përfituar mjafton vetëm që kryefamiljari të jetë pensionist dhe në certifikatën familjare ose të jetojë i vetëm me bashkëshorten, (po pensioniste), ose asnjë nga familjarët e tjerë të mos ketë të ardhura./TPZ