Fuqia blerëse e pensionistëve, po gërryhet më tej nga thellimi i diferencës ndërmjet pagave dhe pensioneve dhe nga rritja e çmimeve të shportës së pensionistëve me ritme më të shpejta se masa e pensionit.
Mbi 500 mijë persona që përfituan pension pleqërie më 2023, kishin të ardhura mujore mesatare 18,341 lekë, sipas të dhënave zyrtare nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore, vlerë kjo 26% më shumë se në vitin 2014, teksa inflacioni i pensionistëve është rreth 34% në këtë periudhë.
Pensioni real ka pësuar ulje së paku me 8%. Si u thellua diferenca e pensioneve me rajonin më 2022 dhe përpjekjet për ndryshimin e skemës
Shqipëria e ka dyfishuar ekonominë e saj dhe të ardhurat buxhetore në dekadën e fundit, por nga krahu tjetër, mbi 500 mijë persona që përfitojnë pension pleqërie i kanë të ardhurat reale aktualisht më të ulëta se në vitin 2014.
Rreth 500 mijë persona që përfituan pension pleqërie më 2023, kishin të ardhura mujore mesatare 18,341 lekë, sipas të dhënave zyrtare nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore, vlerë kjo 26% më shumë se në vitin 2014, teksa inflacioni i pensionistëve është rreth 34% në këtë periudhë (Inflacioni i pensionistëve përllogaritet nga INSTAT dhe është 1.7-2 pikë përqindje më shumë se IÇK).
Gjithashtu, në vitin 2023, dolën në pension 40,170 persona, përfitimi mesatar i të cilëve rezultoi 15,569 lekë në muaj, rreth 14% më shumë se i personave që dolën në pension në vitin 2014 (13,611 lekë në muaj).
Duke matur ecurinë e pensionit me inflacionin, vlera reale e pensioneve ka pësuar rënie nga 8 në 16% gjatë dhjetë viteve të fundit.
Gjithashtu, në vitin 2023, dolën në pension 40,170 persona, përfitimi mesatar i të cilëve rezultoi 15,569 lekë në muaj, rreth 14% më shumë se i personave që dolën në pension në vitin 2014 (13,611 lekë në muaj).
Duke matur ecurinë e pensionit me inflacionin, vlera reale e pensioneve ka pësuar rënie nga 8 në 16% gjatë dhjetë viteve të fundit.
Anketa e buxhetit të familjeve, tregon se nga shpenzimet totale mujore, 41.3% shkojnë për ushqime më 2023, kurse për moshat në pension, pesha e ushqimeve është rreth 59% e shpenzimeve mujore në vitin 2021.
Fuqia blerëse e pensionistëve po gërryhet më tej edhe nga thellimi i diferencës ndërmjet pagave dhe pensioneve. Rritja me ritme të shpejta ndërmjet pagës mesatare dhe pensionit mesatar, thellon hendekun ndërmjet pensionistëve dhe pjesës tjetër të shoqërisë.
Diferenca mes pensionit mesatar dhe pagës mesatare, e njohur si shkalla e zëvendësimit, po përkeqësohet vit pas viti. Në vitin 2014, pensioni mesatar ishte sa 30% e pagës mesatare bruto, ndërsa në 2023, ky raport arriti në 22%.
Vitin e kaluar, një e katërta e popullsisë po merrte pension pleqërie, ndërsa rreth një e treta e popullsisë (704,999) marrin pensione të llojeve të tjera si invaliditeti, suplementare, ushtarake apo të tjera.
Në dy dekadat në vijim, pritet që numri i personave që do të përfitojnë pension mund të arrijë mbi 40% të popullsisë së përgjithshme, ndërsa popullsia në moshë pune pritet të reduktohet edhe më tej.
Nën presionin e zhvillimeve demografike, qeveria shqiptare është duke rishikuar skemën aktuale të pensioneve, me synimin për të ruajtur qëndrueshmërinë financiare në afat të gjatë dhe, nga ana tjetër, për të mbrojtur të ardhurat e pensionistëve.
Zv.ministrja e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Olta Manjani, e cila është pjesë e grupit të punës që po punon mbi ndryshimet, tha se rishikimi i skemës konsiston në zhvillimin e parimit të mjaftueshmërisë, duke siguruar përfitime më të larta kryesisht për pensione nga skema e detyrueshme, si dhe për kategoritë më vulnerabël, si personat që përfitojnë pensione invaliditeti dhe pensione familjare.
Selami Xhepa, ekspert i çështjeve ekonomike, mendon se për të rritur përfitimet, duke mos cenuar qëndrueshmërinë e skemës duhet të zhvillojmë skema të reja paralelisht.
P.sh. ai propozon që për skemën ekzistuese të rritet transferta për pensionet e ulëta, duke kompensuar të ardhurat dhe duke mos lënë askënd në varfëri dhe për brezat e ardhshëm të krijohet kolona e dytë, d.m.th. kursim i detyruar, por jo “Pay as you go” por “A fully funded scheme”, ku individi kursen paratë e tij dhe merr nga paratë e veta.
Zoti Xhepa tha se mund të përdoren edhe skema të tjera, ku individi të zgjedhë të përdorë një llogari kursimi për pension (të garantuar dhe pa taksa) dhe pastaj kolona e tretë, që është aktualisht në funksion (edhe pse jo aktive).
Sipas tij, skema aktuale duhet të shoqërohet me programe të mirëqenies sociale (banesë sociale për të vetmuarit), kompensime shpenzimesh dhe përfitime të mirash publike (transport publik, kinema).
Pensionet në rajon 2,2 herë më të larta se në Shqipëri, thellohet diferenca më 2024
Pensionet në vendet e Ballkanit Perëndimor, u rritën shumë shpejt këtë vit, duke thelluar më tej diferencën me Shqipërinë në krahasim me vitin e kaluar.
Sipas të dhënave zyrtare, nivelin më të lartë të pensioneve e ofron Mali i Zi. Këtë vit, qeveria e re e Malit të Zi e rriti pensionin minimal në 450 euro, nga 300 euro që ishte më parë, duke sjellë një rritje për të gjitha pensionet e tjera.
Mali i Zi aplikoi rritje me rreth 150% të pensionit minimal këtë vit dhe ka premtuar se kjo do të vijojë me ritme më të larta edhe për dy vitet në vijim.
Në Maqedoninë e Veriut, pensioni mesatar në tetor 2024 arriti në 406 euro nga 211 euro që ishte në fillim të gjashtëmujorit të parë, me rritje gati 30%, sipas të dhënave zyrtare nga skema publike e pensioneve.
Në Bosnjë dhe Hercegovinë, po sipas të dhënave zyrtare, pensioni mesatar i pleqërisë arriti në 369 euro në Federatën e Bosnjës.
Rritje të fortë, pensioni ka shënuar edhe në Maqedoninë e Veriut, ku pensioni mesatar shënoi nivelin 406 euro në shtator të këtij viti, nga 311 euro ishte në janar të vitit të kaluar, me rritje gati 30% (shiko www.mtsp.gov.mk/sigurimi-pensional.nspx).
Në Serbi, pensioni mesatar ishte në tetor 2024 rreth 388 euro, me rritje 22% nga niveli 318 euro që ishte në 6-mujorin e parë 2023.
Në Shqipëri, pensioni mesatar aktualisht është 183 euro, nga 164 euro që ishte në fillim të vitit të kaluar, me rritje 11%.
Vendet e Rajonit aplikuan vitin që shkoi skema për rritjen e pensioneve që nuk cenojnë parimin kontributiv të skemës.
P.sh. Mali i Zi vendosi të rrisë pensionin minimal dhe nëpërmjet tij, përfitimet për të gjithë pensionistët, duke rritur në këtë mënyrë subvencionet e buxhetit për skemën.
Gjithashtu, Mali i Zi jep kompensim për shpenzimet e varrimit, i cili është i barabartë me tre pensione mesatare në Mal të Zi, të paguara në muajin pas vdekjes së pensionistit.
Vendet e tjera kanë vënë kritere për të rritur pensionet, me qëllim ruajtjen e balancës mbi 50% të pagës mesatare.
Niveli i Pensioneve Ne Rajon 1156
Niveli i Pensioneve Ne Rajon 1156
Opsionet e reja të reformës, afrohet rritja e moshës
Sipas ligjit aktual të sigurimeve shoqërore, mosha e daljes në pension rritet me 2-3 muaj në vit, për të arritur në 67 vjeç për të dyja gjinitë në vitin 2056. Ndryshimet që po diskutohen aktualisht synojnë që kriteri i moshës 67 vjeç të arrihet më shpejt se viti 2056, para vitit 2040. Ky ndryshim bën që çdo vit, kriteri i moshës të rritet me më shumë se 2-3 muaj.
Një reformë e madhe e sistemit të pensioneve u zbatua në vitin 2015. Reforma rriti gradualisht kohëzgjatjen e kontributit të kërkuar për një pension të plotë deri në 40 vjet, deri në vitin 2032. Mosha e daljes në pension do të rritet në 67 vjeç deri në vitin 2056, si për burrat ashtu edhe për gratë. U vendos një pension social jo kontributdhënës dhe u lidh ngushtë kontributi me pagat reale.
Kohëzgjatja e kontributit për të pasur të drejtën e pensionit të plotë, është aktualisht rreth 39 vjet dhe kufiri për të përfituar një pension të pjesshëm, është më i lartë se mesatarja e OECD (34 vjet për një pension të plotë dhe 13 vjet për një pension të pjesshëm).
Jetëgjatësia ka rritur shpenzimet për skemat e pensioneve. P.sh. në vitin 2000, jetëgjatësia mesatare ishte më e ulët, për burrat ishte rreth 73 vjet, ndërsa për gratë, rreth 77 vjet. Para dy dekadash, koha e gëzimit të pensionit për burrat ishte rreth 10 vite dhe për gratë 17 vite.
Të dhënat tregojnë se ndërmjet 2000 deri në 2023, ka pasur një zgjerim të periudhës së gëzimit të pensionit, për shkak të rritjes së jetëgjatësisë. Sipas të dhënave të fundit të INSTAT, jetëgjatësia mesatare në Shqipëri më 2022 ishte rreth 77 vjet për burrat dhe rreth 81 vjet për gratë.
Ndërsa koha e gëzimit të pensionit arriti në 19.4 vite për burrat dhe 27 vite për gratë. Zgjatja e viteve të gëzimit të pensionit shton presionin për më shumë shpenzime në skemën e pensioneve, e cila është edhe nën presionin e rritjes së numrit të pensionistëve.
Mosha për pension social do të rritet më tej
Në vitin 2014, kur u bënë ndryshimet e fundit në skemën publike, u vendos për herë të parë instrumenti i pensionit social, i cili u caktua në masën 7 mijë lekë. Përfitues ishin personat që nuk plotësonin kriteret (15 vite pune me sigurime) për pension minimal.
Kriteri i moshës për të përfituar pensionin social, si për burrat dhe për gratë, është 70-vjeç. Burimet zyrtare pohuan se është duke u diskutuar opsioni i rritjes së moshës për pensionin social përtej 70 viteve, në mënyrë që njerëzit të nxiten të paguajnë sigurime në vend që të mendojnë se një pension e kanë të sigurt, sado që të jetë ai.
Pensioni minimal indeksohet njësoj si pensionet e tjera me inflacionin e pensionistëve. Vlera e tij është afruar në 10 mijë lekë në muaj, nga 7 mijë lekë që ishte më 2014.
Zv.ministrja Manjani tha se, problematikë e shtuar janë edhe periudhat e mbulimit me kontribute, nëse të gjithë individët që punojnë nuk kontribuojnë me vite të mjaftueshme për të përmbushur kushtin minimal të vjetërsisë prej 15 vitesh do të ushtrohet një presion i shtuar, duke rritur numrin e personave që do të gëzojnë një pension social.
Niveli i ulët i mbulimit me periudha kontributesh, ndikon drejtpërdrejt në nivele të ulëta të masave të pensioneve që përfitohen, fakt që gjykohet edhe nga niveli i pensionit mesatar, duke vlerësuar vetëm kategorinë e pensionistëve të rinj, të cilët nuk kanë periudha kontributive, kryesisht periudha pas vitit 1994.
Ajo tha se, rreth 80% e pensioneve të reja që lidhen janë pensione të pjesshme, pra që nuk kanë plotësuar vitet e plota të përfitimit të pensionit (38 vite).
Nga ana tjetër, ne kemi një numër të lartë pensionistësh në raport me popullsinë krahasuar me vendet e tjera, edhe për faktin se në vitet e para të tranzicionit, dolën në pension 5-10 vjet më herët mijëra qytetarë që mbetën pa punë, si rezultat i kolapsit të sistemit të kaluar.
Vjetërsia për të përfituar pension minimal mund të ulet
Një element që po diskutohet për t’u ndryshuar, është kriteri i viteve të punës për pension minimal dhe pension maksimal. Aktualisht, duhen 15 vite pune për sigurime për të përfituar pension minimal dhe këtë vit duhen më shumë se 38 vite punë me sigurime të paguara për pension të plotë.
Më 2023, periudha mesatare kontributive për pensionet e reja të vitit ishte 26.8 vite, ndërsa kur nisi reforma në vitin 2014, ishte 33.3 vite.
Sipas ligjit aktual të sigurimeve, kohëzgjatja e kontributit për të pasur të drejtën e një pensioni të plotë në vitin 2032 do të jetë 40 vjet.
Për të përfituar pension të plotë, të dhënat e analizuara nga Fondi Monetar Ndërkombëtar tregojnë se kriteret për vitet e pagesës së kontributeve janë më të larta se në vendet e zhvilluara. P.sh. në vendet e OECD-së duhen vetëm 34 vite sigurime për një pension të plotë dhe 13 vjet për një pension të pjesshëm.
Në vende si Shqipëria, ku një pjesë e madhe e punonjësve janë informalë, një periudhë e gjatë kontributesh dekurajon punonjësit që të kontribuojnë, veçanërisht në rastin e grave, ose emigrantëve që janë jashtë tregut vendas të punës.
Personat që dolën në pension në vitin 2012, kishin paguar mesatarisht 34 vite sigurime dhe në vitin 2023 vetëm 26.2 vite. Mosplotësimi i kriterit të viteve të punës me sigurime ul në mënyrë të jashtëzakonshme përfitimet nga pensioni.
Në njërën anë, pensionistët e rinj kanë gjithnjë e më pak vite me kontribute dhe nga ana tjetër, vit pas viti bashkë me moshën e daljes në pension, rritet edhe periudha e viteve me kontribute.
Me ritmet aktuale, pensionistët shqiptarë nuk do të plotësojnë as gjysmën e viteve me kontribute, duke bërë që pagesat e tyre në të ardhmen të jenë shumë të ulëta, gati sa pensioni minimal.
Por, duke qenë se tani, kriteri i viteve me kontribute po plotësohet gjithnjë e më pak, pensionet e reja të pleqërisë rezultojnë të ngjashme me pensionet sociale, duke dekurajuar pagesën e kontributeve nga punonjësit aktualë, vëren Fondi Monetar Ndërkombëtar.
Numri i pensionistëve, që nuk përmbushin vitet e punës dhe nuk arrijnë të përfitojnë një pension të plotë pleqërie, po rritet me shpejtësi.
Rritja me shpejtësi e përfituesve me pension të pjesshëm tregon se mosha e tretë rrezikon varfërinë ekstreme, teksa inflacioni ka qenë i lartë dy vitet e fundit.
Rritja e lindjeve dhe kontribuuesve, jetike për skemën
Zhvillimet demografike, me emigracion të lartë, rënien e numrit të lindjeve dhe plakjen e popullsisë e kanë përkeqësuar ndjeshëm numrin e kontribuuesve në skemën e pensioneve në raport me përfituesit.
P.sh. në fillim të viteve 1990, për çdo pensionist kishte rreth 4.5 kontribuues, një raport që ofronte mbështetje të konsiderueshme për sistemin e pensioneve.
Ky raport është përkeqësuar ndjeshëm gjatë tranzicionit, duke bërë që në vitin 2023, për çdo pensionist ishin vetëm rreth 1.17 kontribuues, si një reflektim i vazhdueshëm i sfidave demografike dhe ekonomike me të cilat përballet vendi, si rënia e lindshmërisë dhe plakja e popullsisë.
Në dekadën e ardhshme, ky raport pritet të përkeqësohet më tej, pasi brezi i bumit të lindjeve gjatë viteve 1960 dhe 1970, po dalin në pension, duke e rritur më tej barrën për kontribuuesit aktualë dhe për buxhetin e shtetit.
Në vitin 2032, pritet që raporti i kontribuuesve për përfituesit në Shqipëri të arrijë një nivel me rreth 1 kontribuues për çdo 2.3 përfitues. Si rezultat i këtyre trendeve demografike, sistemi i pensioneve do të ketë nevojë për reforma të thella për të ruajtur qëndrueshmërinë e tij financiarisht
Zv.ministrja Olta Manjani, tha se; “stabiliteti financiar i skemës së pensioneve kërkon rritjen e shkallës së fertilitetit, rritjen e numrit të kontribuuesve, duke forcuar edhe kontrollin e ushtruar ndaj subjekteve punëdhënës për uljen e informalitetit dhe rritjen e pagës së deklaruar për pagimin e kontributeve.
Pas një veprimi gjithëpërfshirës në fusha të ndryshme, kostot shtesë të financimit të reformës nga qeveria do të jenë më të ulëta në periudhën afatgjatë“, tha ajo.
Informaliteti, një hapësirë për t’u shfrytëzuar
Sipas INSTAT, Shqipëria ka një nivel informaliteti në tregun e punës rreth 28%. Në Anketën e Forcave të Punës raportohen rreth 1,2 milionë të punësuar, por vetëm 60% tyre paguajnë sigurime. Gjithashtu ata që paguajnë sigurime, nuk paguajnë për pagat reale, por zakonisht për minimalen, sidomos ata që punojnë në sektorin privat.
Qeveria synon të formalizojë tregun e punës, si një mjet kryesor për rritjen e të ardhurave për skemën e pensioneve. Rritja e pagës minimale dhe pagave në përgjithësi ndikuan pozitivisht arkëtimet nga kontributet, duke bërë që buxheti i shtetit të shpenzojë më pak për subvencionin e skemës së pensioneve.
Sipas të dhënave nga Ministria e Financave, që nga viti 2014 deri më 2024, të ardhurat buxhetore u rritën me 98%, ndërsa deficiti i skemës së pensioneve në të njëjtën periudhë u ul me 10%.
Kjo do të thotë se pesha e shpenzimeve për pensionet që përballohen nga buxheti i shtetit, është shumë më e ulët se 10 vite më parë.
P.sh., në vitin 2014, buxheti grumbullonte gjithsej 266,7 miliardë lekë të ardhura dhe 12.2% të tyre i çonte për financimin e deficitit të skemës së pensioneve, ndërsa në 9-mujorin 2024, qeveria çoi për financimin e deficitit të skemës vetëm 5.5% të të ardhurave. /Monitor