Peleshi: Zjarri në Gjorm i rrezikshëm, banorët të mos kundërshtojnë evakuimet

Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi ka folur për mediat në lidhje me zjarret në Vlorë dhe vatrën e fundit në fshatin Gjorm.

Peleshi tha se në Gjorm zjarri po bëhet i rrezikshëm dhe po u afrohet banesave. Më tej, bëri thirrje që banorët të mos kundërshtojnë evakuimin.

“Kemi sjellë dy zjarrfikës nga Forcat e Armatosura, po ashtu edhe 40 trupa do të mbërrijnë nga momenti në moment nga Forcat e Armatosura.

Dje kemi shmangur prekjen e banesave dhe sot jemi shumë të angazhuar edhe pse ka shumë pak mundësi për të ndërhyrë. Tani duhet të shmangim zjarret që janë shumë pranë zonave të banuara”, tha Peleshi.

Ditët e fundit zjarret kanë përfshirë të gjithë vendin, ndërsa në qarkun e Vlorës situata paraqitet më serioze.

Në Vlorë aktualisht janë disa vatra zjarri të rrezikshme ndërsa po punohet për shuarjen e flakëve nga toka dhe ajri.

Për momentin, aksioni nga ajri është ndërprerë në Karaburun për shkak të erërave të forta në zonë./albeu.com


Shtuar 5.08.2021 13:55