PDK dhe AAK kritikojnë paraqitjen e kryeministrit Kurti në Bruksel

Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë kritikuar paraqitjen e kryeministrit Albin Kurti në Bruksel. Dy partitë opozitare vlerësuan se paraqitja e Kosovës me fusnotë ka qenë në kundërshtim me premtimet dhe mandatin që ka marrë kreu qeveritar.

Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri tha se kur e gjykojnë sot Kurtin nga e thëna në të kaluarën dhe të bërit e tanishëm qëndron një mal i tërë.

“Përfaqësimet e Republikës së Kosovës në Bruksel, ne nuk kemi pa asgjë të re, vetëm se zotëri Kurti në vazhdimësi ka vepruar dhe po vazhdon të veprojë krejt ndryshe prej asaj që ka fituar mandatin nga qytetarët e Kosovës. Ju e dini se në kohën kur është dakordu për fusnotën ka qenë një reagim i ashpër nga LVV-ja dhe nga kryeministri Kurti. Ndërsa, paraprakisht, para përfaqësimit të Kosovës ne nuk e kemi pa se zotëri Kurti e ka ngritur si shqetësim këtë çështje që do të duhej me diskutuar me Brukselin, mënyrë që Kosova të përfaqësohet pa fusnotë. Po shihet se zotëri Kurti s’ka pas as kurajën dhe mundin me ngritë këtë çështje. E ka marrë si të mirëqenë siç kanë vazhduar gjithë kryeministrat e tjerë. Kur sot e gjykojmë nga e thëna në të bërë për zotëri Kurtin qëndron një mal i tërë”, tha ai.

Qasjen e kryeministrit Kurti lidhur me dialogun dhe Asociacionin e kritikoi edhe shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri.

“Qasja e zotëri Kurti ka qenë gabim dhe e paqartë. Ajo çka ishte dashur të thuhet se Kosova gjitha garancinë që i ka marrë për komunitetin jo shumicë serb i ka realizu përmes Pakos së Ahtisarit. Në Kushtetutën tonë ekziston e drejta për themelimin e Asociacionit, ndërsa çfarëdo tendence që përmes këtij institucioni të synohet një intervenim që ky institucion të merr përgjegjësi dhe kompetenca që kalojnë është e pakalueshme dhe nuk do të merr mbështetje të shumicës shqiptare”, tha ai.

Megjithatë, ai tha se përfaqësimin e Kosovës me fusnotë nuk ia vendos gishtin Kurtit.

“Me qenë korrekt dhe real (fusnota) nuk ka ndodhur në kohën e Kurtit, andaj nuk mundem me ia zgjat Kurtit gishtin për fusnotën, pasi nuk e ka bërë Albin Kurti, por e ka bërë një tjetër qeverisje. Por çka ka bërë zotëri Kurti, ai nuk ka lënë të zezë pa thënë për njerëzit që kanë marrë pjesë. Pra, jo nuk ia zgjatim gishtin Kurtit për fusnotën, por i themi o zotëri këqyre çka ke thënë dhe je bërë gazë me krejt çka ke thënë, këtu është problemi”, shtoi ai.

Këto komente dy përfaqësuesit opozitar i bënë pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, ku u caktua më 13 dhjetor seanca e re plenare.

Këtë seancë e mirëpriti, shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ku tha se ndër të tjera do të ketë debat parlamentar për pagat në sektorin publik.

“U vendos që seanca e radhës të mbahet me datën 13, të hënën. Si grup parlamentar i AAK-së jemi të kënaqur që këtë seancë do të diskutojmë përmes debatit parlamentar ligjin për pagat e sektorit publik. Ky debat po vjen në kohë të duhur para miratimit të buxhetit që do të ndodh me 22 dhjetor. Shpresojmë që ky debat përmes rezolutës dhe amendamentit që e kemi bërë të realizohet dhe më 22 të buxhetojmë projektligjin për pagat”, tha ai.

Kjo është mbledhja e parë e Kryesisë së Kuvendit, pas gjashtë dështimeve radhazi për shkak të mungesës së kourumit.


Shtuar 8.12.2021 17:49