PD në tresh, gaz dhe hare mes Bardhit dhe Bashës, në krah edhe Tabaku (FOTO LAJM)

Kuvendi u mblodh sot në Seancë të Posaçme për t’i hequr imunitetin, deputetit, Arben Ahmetaj, duke i hapur kështu rrugë arrestimit të tij. 117 deputetë votuan pro, ndërsa 3 abstenuan: Vangjel Dule, Fatmir Mediu dhe Agron Duka.

Ndërkaq në Parlament ka tërhequr vëmendjen dhe mënyra se si u ulën deputetët demokratë, në një kohë kur janë të ndarë në tre grupime, atij të Lulzim Bashës, i cili kandidon për kryetar i PD-së kundrejt Gjergj Hanit në zgjedhjet e 29 korrikut, Sali Berishës dhe Gazment Bardhit kryetar i Grupit Parlamentar të PD-së.

Siç duket edhe nga fotot, Gazment Bardhi është ulur pranë Lulzim Bashës, krahas këtij të fundit është ulur deputetja Jorida Tabaku.

Bardhi diskuton me Bashën, ndërsa në disa momente është kapur duke buzëqeshur.

Kujtome se Prokuroria e Posaçme i kërkoi Kuvendit të hapë rrugën për arrestimin dhe kontrollin e banesës së ish-zv/kryeministrit Arben Ahmetaj, të cilin po e heton për tre akuza, më e rënda ajo për korrupsion. Në dosjen voluminoze prej 320 faqesh krahas Ahmetajt rezultojnë të përfshirë për aferën e inceneratorëve edhe persona të tjerë, ndaj SPAK i kërkoi Kuvendit që seancat e Këshillit të Mandateve të mbaheshin pa praninë e medias.

Gjithashtu  vetë Arben Ahmetaj ka reaguar dy herë në lidhje me akuzat ndaj tij. Ahmetaj reagoi dje për emisionin për Blendi Fevziun në emisionin “Opinion” dhe sot nëpërmjet një postimi të gjatë në rrjetin e tij social Facebook.

Teksa u ka kërkuar falje votuesve të tij, familjes dhe të afërmve, Ahmetaj ka paralajmëruar se do të mundohet të nxjerrë ditë pas dite të vërtetat në lidhje me akuzat që rëndojnë ndaj tij.

/albeu.com/

 


Shtuar 14.07.2023 12:31