PD kundër minutazhit në Kuvend: Mos na mohoni të drejtën e fjalës

Ka nisur seanca e sotme në Kuvend. Që në nisje është shoqëruar me debat. Deputetët e opozitës nuk janë dakord me minutazhin e vendosur në dispozicion për ta për të diskutuar projektligjet.

Nënkryetari i PD-së, Alfred Rushaj tha se në seancë po shkelet rregullorja.

“Edhe kjo seancë po bëhet në shkelje të rregullores për kohën e diskutimeve. Rregullorja ka parashikuar të drejtën e cdo deputeti që të flasë 10 minuta, me përjashtim kundër rregullorja përjashton ndryshe, kur kemi kohën e replikës, procedurës, apo diskutimeve të lira. Në të gjitha rastet e tjera deputeti ka të drejtë të flasë 10 minuta. Ajo që është vendosur është në shkelje të hapur. Pika tre e rregullores parashikon vetëm kur çmohet e nevojshme për cështje konkrete koha mund të përcaktohet në Konferencën e Kryetarëve, por kjo është seancë normale dhe cdo deputet të flasë 10 minuta. Ne e kuptojmë që nuk doni të na lini të flisni, por kjo nuk është diçka që duhet dhe mund ta vendosni ju. Ju ftoj që tani, ta shfuqizoni atë vendim dhe ti jepni fjalën cdo deputeti 10 minuta”, tha ai.

Edhe deputeti Gazment Bardhi u shpreh se po tentohet t’i mohohet e drejta e fjalës.

“Mos na mohoni të drejtën e fjalës. Kjo s’ka ndodhur kurrë që deputetëve të opozitës, 63 deputetë, që të flasin 100 minuta. Ndërkohë rregullorja na ka dhënë të drejtën që të flasim 600 minuta. Ju tani duhet të ndërprisni seancën?! Opozitës nuk mund t’i mbyllet goja në një parlament që ekziston në një vend minimumi normal. Ju keni detyrimin që të thoni se kush është arsyeja që keni marrë këtë vendim. Doni t’i hiqni të drejtën e fjalës opozitës? Jeni aty jo thjesht për t’u bërë transmetuese e vendimeve. Jua ka kërkuar Edi Rama? Nuk është argument”, tha Bardhi.

“Është marrë me vendimmarrje të përbashkët në Konferencën e Kryetarëve”, është përgjigjur Nikolla

“Kush ju ka thënë ju kryetare se po të flasin deputetët e opozitës të zë covid-i?! Dhe të jesh mbi 20 mijë veta në stadium nuk të zë virusi”, tha Bardhi./albeu.com


Shtuar 14.10.2021 10:30