Akuzat për falsifikim firmash, Bardhi-Ballës: Kur jepni ju leksione për ligje është t’ia fusim të gjithë me vrap nga Kuvendi

Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla akuzoi opozitën se firmat e mbledhura për komisionin hetimor për investitorët strategjikë janë të falsifikuara, duke shtuar se janë marrë nga një dokument i vjetër dhe janë kaluar te i riu.

Akuzave të Ballës u është përgjigjur sekretari i përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi i cili ironizoi moralin e Ballës për respektimin e ligjit, duke i thënë se kur flet për këtë çështje i bën deputetët të ikin me vrap nga seanca. Më tej ai tha se kërkesa e 36 deputetëve, u depozitua konform ligjit dhe konform përgjegjësisë.

“Të na japësh Balla leksione për shkresa, është t’ia fusim të gjithë nga parlamenti me vrap. Konferenca rrëzoi kërkesën e opozitës me pretendimin tuaj se Agron Duka ishte tërhequr. Kjo u bë në konferencën e kryetarëve, me pretendimin tuaj se tashmë janë vetëm 34 firma, ju e rrëzuat. Sipas ligjit, zonja kryetare, duhet të tregoni kujdes se jeni betuar, sipas pikës 2, mjaftojnë 5 firma që kërkesa të shqyrtohet në seancë. Ekzistenca apo jo e 35 firmave e bën të detyrueshëm ngritjen e komisionit. Kemi paraqitur në datë 27, pasi jemi njohur me tërheqjen e firmës së Dukës, kemi bërë korrigjimin në kërkesën për komision. U ridepozitua, kërkesa e 36 deputetëve, u depozitua konform ligjit, dhe konform përgjegjësisë. E gjithë sqarimi që ju zonja kryetare bëtë, dhe sqarimi që Balla bëri ishte justifikim, shqiptarët janë dëshmitare se një javë para depozitimit, Rama tha këtu se harrojeni se do të krijohet një komision. Një deputet i këtij Kuvendi, rrezikon mandatin dhe të shkojë në burg se në kushtet flagrante, ka përfituar bashkëshorti i saj statusin e investitorit stratergjik. Ministrat ndajnë me njëri tjetrin e Rama vendos në mëngjes se cilit do t’i japë një copë tokë në territorin e Shqipërisë.

Keni një kërkesë me 36 firma dhe thoni është e falsifikuar, merreni listën dhe pyesni a ka kush vullnetin për të ngritur një komision hetimor, nëse ndonjëri thote s’kam vullnet, dmth që ne i kemi falsifikuar firmat. Ne nuk jemi si ju, ju jeni për t’i shërbyer Olta Xhaçkës, ta harroni që mund të bllokoni një komision hetimor. Së pari dilni zbuluar se me atë ligj është abuzuar”