PD kallëzim në SPAK për kullën 58-katëshe, reagon Basha: Lufta ndaj korrupsionit është e panegociueshme

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka reaguar pas kallëzimit në SPAK për kullën me 58 kate që do të ndërtohet pas Teatrit të Operas dhe Baletit.

Basha thotë se për PD lufta ndaj korrupsionit është e panegociueshme, teksa shton se kallëzimi i sotëm është provë se kjo forcë politike beson te SPAK.

Reagimi i plotë:

Për Partinë Demokratike lufta ndaj korrupsionit është e panegociueshme. Ne jemi të vendosur të përballemi me cilindo që ka shkelur besimin e qytetarëve për t’i hapur rrugë interesave korruptive dhe klienteliste, të cilat janë një kërcënim për mirëqenien e shqiptarëve.

Kallëzimi i sotëm në SPAK i malit të korrupsionit në qendër të Tiranës, është provë e besimit të Partisë Demokratike ndaj institucionit më të rëndësishëm të akuzës. Mbështetja pa kushte ndaj drejtësisë është dëshmi e vullnetit tonë politik për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë dhe për të inkurajuar transparencën mbi lidhjet e dukshme dhe të padukshme mes korrupsionit politik, krimit ekonomik dhe krimit të organizuar.

Askush nuk mund të jetë mbi ligjin!


Shtuar 8.08.2023 14:19