Patronazhist i Sali Berishës? Gazetari i sportit: Nuk jam në dijeni

Vetëm pak ditë më parë fushata zgjedhore në Shqipëri u prish nga skandali që u zbulua lidhur me databazën e të dhënave që Rilindja kishte mbledhur për 900 mijë votues në Tiranë.

Në listë ishte edhe ish-kryeministri Sali Berisha, patronazhisti i të cilit rezultonte gazetari i njohur sportiv, Ervin Baku.

Por Baku, mohon që të jetë “patronazhist”. I ftuar në “7pa5” në Vizion Plus, Baku tha se nuk kishte dijeni për këtë fakt.

 “E kam marrë me sportivitet këtë lajm që ka dalë këto ditë. Jemi në muajin prill dhe dihet me çfare feste fillon ky muaj. Me Berishën kam marrëdhënie shumë të mira që datojnë që nga koha ime në Strasburg, por nuk ndikojnë në bindjet e mia sportive, kulturore, artistike, apo edhe politike. Unë nuk jam në dijeni, më duket shumë butaforike. Kjo është shkelje flagrante e të drejtave të njeriut. Jam kundër këtyre praktikave. Realisht jam kundër këtyre praktikave. Nuk duhet të ndodhin gjëra të tilla. Unë e mora me shumë sportivitet”, ka deklaruar Baku. 


Shtuar 15.04.2021 10:22